Ana e errët e tollovisë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësitë e rrugëdaljes

Kundër anatemimit, kundër linçimit, kundër vënies në dyshim të përkushtimit të aktivistëve të devotshëm: si duhet ta tejkalojë Lëvizja Vetëvendosje hallakatjen e ditëve të fundit?




Është ditur se në Lëvizjen Vetëvendosje ka grupime dhe kundërthënie të ndryshme. Krejt normale për çdo lëvizje politike te ne dhe kudo qoftë tjetër. Por kur ato u shpërfaqën përmes shprehjesh të pahijshme dhe mospajtimeve të papritura nga dy personalitete të rëndësishme të VV-së, si Aida Dërguti e Dardan Molliqaj, ky ishte një dush i ftohtë për çdo ithtar të subjektit më të madh politik në Kosovë.

Pasqyrimi në medie i përplasjeve në VV, përjashto dy-tri raste, ishte skandaloz. Asnjëherë deri më sot nuk më ka ndodhur ta shoh në këto përmasa e krejt cullak mjerimin e medieve në Kosovë, katandisjen e tyre të vërtetë. Mungesën e qartësisë e të moralit. Pjesa dërrmuese e tyre, në vend se të analizonin seriozisht shkaqet dhe thelbin e përplasjeve në VV si dhe pasojat e saj, fërkonin duart dhe përpiqeshin të gjejnë shprehje e gjeste pikante që mund të tërheqin vëmendjen e lexuesit-shikuesit mediokër, por kurrsesi të njerëzve të interesuar për ta mësuar të vërtetën, cilado qoftë ajo. Më të neveritshmit dukeshin analistët e çarshisë, këta kalemxhinj të pamoralshëm që me dekada kullosin lirshëm e gjithandej fonde të bollshme dhe të shumtën e rasteve ndotin opinionin e lodhur dhe prostituojnë mediet. Edhe kësaj radhe u dëshmuan se janë shpirtra të shitur.

Një këndvështrim i kundërthënieve tashmë publike në VV që nuk u trajtua gati fare, apo thënë më mirë u hesht qëllimisht – është ndikimi i faktorit të jashtëm në këtë përplasje të zhurmshme. Pra, trysnia e madhe dhe veprimtaria dëmprurëse për ta defaktorizuar këtë Lëvizje të fuqishme politike. Dalja në skenë e Lëvizjes VV e ka freskuar, e ka gjallëruar dhe e ka fisnikëruar si askush dhe si asgjë tjetër jetën politike të pasluftës në Kosovë. Lëvizja VV doli në skenë në një moment kritik, kur titistët dhe enveristët të bërë bistek, të udhëhequr nga prontomafia, po e nënshtronin dhe po e poshtëronin gjithandej Kosovën, po ia mbysnin idealizmin, shpresat dhe ëndrrat asaj.

Pra, merita e parë, historike, e Lëvizjes Vetëvendosje është se e mbajti gjallë, e forcoi dhe e faktorizoi idealizmin e njohur, gati të pashembullt, të Kosovës. Meritat tjera janë se në momentet më kritike për vendin, ishte dhe vazhdon të jetë Lëvizja Vetëvendosje ajo që rrjedhave politike u jep kahun e mirëfilltë, i artikulon më së miri dhe më se qarti aspiratat historike të popullit të Kosovës. Më kujtohet një bisedë me njërin prej protagonistëve kryesorë të bisedimeve në Vjenë, produkt i të cilave ishte Plani i Ahtisarit. Ai ma tha troç: «Plani Ahtisarit ka gjëra të mira, do të na e sjellë pavarësinë, por ka edhe gjëra të rrezikshme, sepse e përvijon ndarjen e Kosovës. Por po të mos ishin protestat e Lëvizjes Vetëvendosje, ky plan do të ishte edhe shumë më i dëmshëm».

Me të njëjtën vendosmëri Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi bisedimet e pakrye në Bruksel dhe Marrëveshjen për demarkacionin. Analistët e çarshisë sidomos, por edhe kalemxhinjtë kokëboshë e dënuan hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, por për ata që e dinë mirë se si bëhet dhe si shkruhet historia ishte krejt e qartë, se jo vetëm gazi lotsjellës, por, edhe metoda të tjera edhe më radikale kundër mafies politike me qëllim pengimin e ndarjes së Kosovës dhe cenimin e integritetit territorial të saj, historia do t’i quante akte të pranueshme. Sepse çdo shoqëri normale nuk lejon të luhet me kufij dhe me territore të vendit.

Vitin që vjen, priten vendime tepër të rëndësishme për Kosovën. Serbia, përmes të ashtuquajturit dialog i brendshëm, po e përgatit copëtimin e Kosovës. Për këtë qëllim ka gjetur edhe shqiptarë renegatë që po bisedojnë me të. Me një fjalë shpejt mund të priten ndryshime të mëdha gjeopolitike në rajon. Akterët e këtyre planeve duan t’i imponojnë idetë e tyre, substancialisht të dëmshme për Kosovën. I vetmi subjekt politik që mund t’ua djegë kartat në duar është Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj viti i fundit për këtë Lëvizje ishte një vit i fitoreve, por sidomos i pykave. Po të mos ishin pykat, VV do t’i fitonte zgjedhjet edhe në 4-5 komuna të tjera. Tani me nxjerrjen e kundërthënieve, por edhe të palarave në shesh, po fillon sulmi frontal për defaktorizimin definitiv të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjithë spiunët e Serbisë në Kosovë, të gjithë jeniçerët e prontomafisë, por edhe shërbimet e atyre që po duan të rivizatojnë kufij, janë bërë bashkë dhe, pas analizave të hollësishme, kudo që kishte ndonjë çarje të vogël në trungun e shëndetshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë kanë filluar t’i ngulin pykat dhe t’i rrahin me kompresorë. Nuk do të jetë e lehtë përballja me këtë sulm të sinkronizuar. Por një gjë duhet kuptuar mirë, se, të shumtën e rasteve, protagonistët që dalin në pah në këso përplasjesh, nuk janë pykat e vërteta, por pasqyrim i efektit të tyre.

Nga sa po shihet, në Lëvizjen VV janë të paktën dy blloqe: mbështetësit e themeluesit të Lëvizjes, Albin Kurtit dhe mbështetësit e Molliqajt dhe Dërgutit. Ndërkaq grupi i tretë, përbëhet nga heronjtë e analistëve të çarshisë, të cilët po i fërkojnë duart, duke pritur se cili bllok do ta fitojë këtë betejë për t’u bërë me të menjëherë. Mund të kesh rezerva për veprimet e Dardan Molliqajt, Aida Dërgutit, tjetrit apo tjetrës, por nuk duhet anatemuar paraprakisht askënd pa pasur të gjitha argumentet. Duhet ditur motivet e sakta të cilitdo qoftë për të diagnostifikuar veprimet e tij. Fushatat e linçimit janë të rrezikshme. Shembulli më i qartë është, ta zëmë, vënia në dyshim e përkushtimit të aktivistëve të devotshëm. Kjo është një metodë e shëmtuar staliniste që më së shumti u shkon për shtati regjisorëve që kanë për synim defaktorizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, duhet nënvizuar një fakt se, gjatë shpërfaqjes së përplasjeve nga Dardan Molliqaj e Aida Dërguti ka munguar diçka që kanë pritur gjithandej ithtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka munguar një qëndrim i vendosur; ne kemi kundërthënie, për këtë apo atë arsye, jemi të pakënaqur me këtë apo atë veprim, por për këto probleme ne do t’i debatojmë brenda nesh, në organet e VV, aty ndoshta edhe do të grindemi, edhe do të bërtasim, por kurrë nuk do t’ia kthejmë shpinën shtëpisë sonë të përbashkët, kurrë nuk do të përdorim thika e kurthe mes nesh. Nëse ata janë dhe duan të mbesin idealistë, atëherë ata medoemos duhet t’i mbesin besnik këtij parimi themelor të çdo idealisti.

Pavarësisht zhurmës, kjo përplasje e ashpër politike në VV mund të tejkalohet vetëm përmes një debati të shëndetshëm dhe brenda forumeve të partisë. Animoziteti në mes të personaliteteve të ndryshme të Lëvizjes Vetëvendosje, sado i madh të jetë, nuk duhet ta dominojë logjikën e shëndoshë. Sepse nuk digjet shtëpia për një plesht!

Është stalinizëm i kulluar të përpiqesh t’ia ndalosh rikandidimin për kryetar të Lëvizjes VV, themeluesit të saj, Albin Kurtit. Sikundër që është e papranueshme që cilido apo cilado që ka mospajtime dhe shpreh rezerva për mendimet apo veprimet e Albin Kurtit të shpallet apriori armik i Lëvizjes Vetëvendosje dhe të përndiqet nga snajperistë të rrjeteve sociale, të cilët mund të jenë veprimtarë të paepur të Lëvizjes por ndoshta edhe shërbëtorë të strukturave të nëntokës të partive rivale.

Një parti apo lëvizje politike, pra edhe Lëvizja Vetëvendosje është një bashkim vullnetar i njerëzve të barabartë në të drejta dhe në detyrime; çdonjëri prej tyre ka të drejtë të shprehet lirshëm, të zgjedhë dhe të zgjidhet. Mendimet ndryshe kur shfaqen normalisht përbëjnë një diversitet shumë të vlefshëm për çdo parti politike, sidomos në momente të kthesave apo udhëkryqeve të mëdha. Dhe ato mendime duhet të shpërfaqen me gjakftohtësi e pa inat deri në marrjen e një vendimi përmes një procedure të qartë. Aty e tutje ai vendim duhet të respektohet si nga ata që gjatë debatit e kanë mbështetur thelbin e vendimit por edhe nga të tjerët që mund ta kenë kundërshtuar. Ky është rregulli themelor i çdo bashkimi politik dhe çdo veprimi demokratik.

Është shumë me rëndësi për të ardhmen e vendit se çfarë kahu do të marrin rrjedhat në Lëvizjen Vetëvendosje. Çdo pjesëtar i saj duhet ta ketë parasysh se shumë shqiptarë i kanë kthyer sytë prej tyre. Ata duhet të dëshmohen se janë ndryshe, pra se nuk janë si partia e prontomafisë, se nuk janë parti e kapur nga SHIK-u, siç është në një masë të konsiderueshme Lidhja Demokratike e Kosovës. Duhet të dëshmohen se janë idealistë që e duan Kosovën pa hile dhe se përpiqen që kjo të jetë një shtet funksional, shtet me të ardhme europiane, shtet rinia e të cilit e sheh të ardhmen e vet aty, në shtëpi e jo duke i marrë në sy rrugët e botës plot rreziqe.

Shumë ithtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjithandej botës presin me të drejt që nesër në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes të debatohet hapur për çdo problem, të përballen idetë pa sharje e pa inat dhe të merren vendime largpamëse duke pasur synim interesin e Lëvizjes, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë. Lëvizja Vetëvendosje është një projekt serioz gjithëkombëtar, është subjekt politik, te i cili kanë mbështetur shpresat e tyre shumë njerëz. Prandaj askush nuk ka të drejtë, për çfarëdo motivi qoftë, që t’i gjymtojë apo të përpiqet t’i varrosë këto shpresa.