Amerika duhet t’i përvjelë mëngët për të shpëtuar Europën

Europa duhet t’i mbajë hapur kufijtë e brendshëm dhe të ruajë tregun e përbashkët për aktivitet ekonomik – madje edhe me Mbretërinë e Bashkuar që më nuk është anëtare zyrtare e BE-së. NATO-ja duhet të fuqizohet për adresimin e kërcënimeve në rritje nga Lindja dhe Jugu. Projekti europian duhet të përparojë edhe më shumë. Dhe Amerika duhet edhe njëherë të jetë e pranishme në zemër të Europës që të ndihmojë që këto të jetësohen. Në të vërtetë, ky është moment kthese për Europën – dhe për Amerikën.

Ilustrimi: Shutterstock

Ky është moment vendimtar për diplomacinë amerikane. Votimi i Britanisë për të dalë prej Bashkimit Europian paraqet rrezikun më të madh për projektin europian. Është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm i Amerikës që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë aleatët europianë, sidomos me Gjermaninë, për ta frenuar shpartallimin e këtij projekti, që i ka ofruar Europës paqe dhe prosperitet të pashembullt për më shumë se shtatëdhjetë vjet.

Në botën në agoni pas luftës më shkatërrimtare, ishte vizioni largpamës amerikan e europian që e shihte si të domosdoshëm ndërtimin e një Europe të bashkuar. Më 1946, Winston Churchilli kishte bërë bujshëm thirrje për krijimin e «Shteteve të Bashkuara të Europës» me qëllim të sigurmit të «fuqisë materiale të një shteti të vetëm jo më pak të rëndësishëm». Një vit më vonë, George Marshall, sekretar amerikan i shtetit, kishte shpallur themelimin e Programit të Rimëkëmbjes Europiane, që ofroi miliarda dollarë për të ndihmuar rimëkëmbjen e kontinentit nga lufta. Marshalli u kishte bërë thirrje shteteve europiane të ndihmonin dhe bashkërendonin planet e tyre për rimëkëmbjen ekonomike si kusht për shpenzimin e fondeve amerikane – duke ndihmuar kështu kapërcimin e ndasive të thella të Europës që kishin sjellë shekujt me luftëra e konflikte.

Menjëherë zëra të tjerë europianë, të prirë prej Ernest Bevinit, sekretar i Jashtëm britanik, bënë thirrje për krijimin e një aleance ushtarake ndërmjet Europës dhe Amerikës Veriore, me qëllim të frenimit të komunimzit sovjetik dhe njëherësh për t’i dhënë shtytje unitetin të Europës. Traktati i Atlantikut Verior u nënshkrua më 1949, me zotimin e përhershme të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Europës – siç kishte ndodhur dy herë një shekull më parë.

Me Amerikën që i ofronte siguri Europës, Europa në rimëkëmbje thelloi bashkëpunimin ekonomik, politik e ushtarak. Këshilli i Europës, Komuniteti Europian  i Qymyrit dhe Çelikut, Unioni Europian Perëndimor dhe institucionet e tjera ishin themeluar për t’i zhdukur ndasitë dhe për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë mbi të cilat do të vareshin paqja e siguria e së ardhmes. Dhe shumica e këtyre përpjekjeve evoluan në Bashkimin Europian, bashkësinë që do të zgjerohej në 28 shtete anëtare, derisa gjithnjë e më shumë shtete dëshironin përfitimet ekonomike dhe politike prej të qenit pjesë integrale e projektit europian.

Dhe tani gjithçka po vihet në rrezik sherri i Brexitit. Perceptimet që kanë nxitur britanikët që të votonin për të dalë prej BE-së – frika prej emigrantëve, shqetësimet për uljen e pagave dhe mungesave e vendeve të punë, rritja e ankthit shkaku i ndërvarësisë në ngritje me pjesën tjetër të botës – janë të pranishme në demokracitë perëndimore. Ne tashmë po shohim zëra që kërkojnë Nexit në Holandë, dhe Frexit në Francë.

Po shohim me sytë tanë rinacionalizimin e politikës në Europë – dhe bashkë me këtë edhe shembjen e mundshme të BE-së dhe tërë projektit europian. Nuk është fjala vetëm për rreziqe ekonomike, megjithëse kostot e ngritjes së rrethojave kufitare për të frenuar kalimin e njerëzve dhe kthimi i pikave të kontrollit për ndalimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit me siguri se do të jenë jashtëzakonisht të larta. Rreziqet lidhen edhe me çështje të sigurisë – derisa ndarjet në rritje brenda Europës po i japin zemër fuqisë dhe ndikimit të Rusisë, që i bëhet zemra mal kudo që sheh ndasi në kontinent. Dhe kur po marrin zjarr flakët e nacionalizmit, rivaliteti dhe hasmëria rrezikojnë t’ua zënë vendin bashkëpunimit dhe bashkërendimit afatgjatë.

Një Europë e përçarë paraqet rrezik të themeltë edhe për Amerikën – për prosperitetin dhe sigurinë e saj. Dy herë gjatë shekullit të kaluar, Amerika dy herë ka hyrë në luftë për ta shpëtuar Europën prej ndasive dhe armiqësive të brendshme – dhe pastaj i qëndroi në krah që të sigurohej se më nuk do të përsëritej historia. Por me Europën që po merrte zemër dhe fuqi, dhe me shembjen e Bashkimit Sovjetik, Amerika devijoi vëmendjen tjetërkund – në Lindjen e Mesme të trazuar dhe Azinë në ngritje.

Europa nuk ishte gjatë dy dekadave të kaluara kaq e harruar qysh ishte lënë pas dore prej Washingtonit. Dhe me forcat destuktive në rritje kundër integrimit, Washingtoni ua besoj udhëheqjen krerëve të Europës për ta menaxhuar pakënaqësinë. Tani, së paku një prej këtyre krerëve ka dështuar – madje ka dështuar sa s’ka ku shkon më keq. Dhe Washingtoni më nuk të besojë se krerët europianë i kryejnë si duhet punët e tyre.

Amerika duhet t’i përvjelë mëngët përsëri në diplomacinë europiane. Duke punuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me krerët të tjerë për shpëtimin e projektit europian, presidenti Barack Obama duhet ta ketë Europën në krye të prioriteteve. Britania ka votuar për të dalë nga Bashkimi Europian, por kjo nuk nënkupton se dëshiron ose duhet patjetër t’i çojë duart prej Europës. Në vend se të ndëshkohet Londra, qysh mezi po presin disa ta bëjnë këtë gjë në Paris dhe kryeqytete të tjera, qëllimi kryesor duhet të jetë hartimi i aranazhimeve të reja institucionale që e mbajnë Europën tok si partnere të fortë, të zellshme dhe përparimtare.

Europa duhet t’i mbajë hapur kufijtë e brendshëm dhe të ruajë tregun e përbashkët për aktivitet ekonomik – madje edhe me Mbretërinë e Bashkuar që më nuk është anëtare zyrtare e BE-së. NATO-ja duhet të fuqizohet për adresimin e kërcënimeve në rritje nga Lindja dhe Jugu. Projekti europian duhet të përparojë edhe më shumë. Dhe Amerika duhet edhe njëherë të jetë e pranishme në zemër të Europës që të ndihmojë që këto të jetësohen. Në të vërtetë, ky është moment kthese për Europën – dhe për Amerikën.

(Autori është presidenti i Këshillit për Çështje Globale në Chicago. Prej vitit 2009 deri më 2013 ishte përfaqësues i përhershëm i SHBA-së në NATO).