Amerika dhe Evropa nëpër Kosovë

Mbi ngjyrat e flamurit gjerman është shkruar emri i shkollës fillore «Florian Ischinger», në Sllatinë të Kaçanikut.




Banorët e fshatit të thellë malor kanë shprehur kështu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger, që ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar të prirë prej Martti Ahtisaarit, që përgatitën planin për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

«E përkujtojmë Florian Ischingerin», është mbishkrimi që gjendet nëpër punime të nxënësve apo edhe në çezmën e dhuruar nga një donator privat në korridorin e shkollës.

Aktivisti Rupert Neudek dhe banorët e Sllatinës u propozuan autoriteteve lokale dhe atyre qendrore të arsimit që shkolla të mbante emrin e të birit të diplomatit që ndërtoi shkollën dhe mbi pesëdhjetë shtëpi nëpërmjet organizatës humanitare «Cap Anamur».

Kujtimi për të birin e arkitektit të Pavarësisë

«Floriani ka vdekur pas një aksidenti me makinë», thotë Ermal Shorra, nxënës i klasës së katërt në «Florian Ischinger». Këtë rrëfim e dinë të gjithë nxënësit e paraleles së Sllatinës, që menaxhohet nga shkolla amë, «Ali Asllani», në Doganaj.

Por Florian Ischinger kishte bërë vetëvrasje pas vuajtjes së gjatë nga depresioni. Babai i tij kishte vendosur që pasurinë që gjyshja ia kishte lënë Florianit ta ndante për ndihmë humanitare në Kosovë.