Ambiciet diktatoriale të Hashim Thaçit në Ankara

Kryetari i Kosovës ka rënë në gjunjë para padishahut Rexhep Taip Erdoan, duke thënë se «çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë». Kjo deklaratë është tepër e rrezikshme, sepse shumicën e atyre turqve që Erdoan i trajton si terroristë janë vetëm rivalë të tij politikë. Turqia e Erdoanit mund të jetë model për Hashim Thaçin, por jo për qytetarët e Kosovës, të cilët aspirojnë një shtet me vlera europiane.

Protestë për lirinë e shtypit në Turqi. Foto: Shutterstock



Pas vizitave në Maltë dhe shëtitjes nëpër varreza serbe në Kosovë Hashim Thaçi ka përfunduar në Ankara. Kryetari i Kosovës po e mbyll vitin me një vizitë në Turqi, një vend që sivjet ka përjetuar zhvillime dramatike, sidomos që nga përpjekja për grusht shteti nga mesi i korrikut. Mësymja e një grupi oficerësh, ushtarësh dhe policësh për të rrëzuar qeverinë e ligjshme të Turqisë është dënuar nga të gjitha vendet perëndimore. Rrjedhimisht, edhe Kosova dhe Shqipëria e kanë kundërshtuar tentim-puçin në Ankara dhe Stamboll. Një qëndrim i tillë është krejtësisht me vend. Pa marrë parasysh rezervat që sidomos bota perëndimore ka ndaj Rexhep Taip Erdoanit, presidenti turk dhe qeveria e tij janë zgjedhur në mënyrë demokratike.

Por, solidariteti me Turqinë ka një kufi dhe këtë po e demonstrojnë shtetet e Bashkimit Europian, duke kërcënuar se do të ndërpresin negociatat për anëtarësim me Ankaranë nëse edhe më tutje vazhdon vala e represionit e regjimit të Erdoanit kundër rivalëve politikë. Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në Ankara është pozicionuar kundër BE-së, por edhe kundër administratës së deritanishme të Washingtonit. BE dhe SHBA-të kanë shprehur hapur mospajtimin me Erdoanin, i cili prej muajsh e ka shpallur pandërprerë gati çdokënd terrorist nëse ky i fundit ka kritikuar edhe me fjalët më të matura metodat arbitrare të autoriteteve turke. Kryetari i Kosovës ka rënë në gjunjë para padishahut Rexhep Taip Erdoan, duke thënë se «çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë». Kjo deklaratë është tepër e rrezikshme, sepse shumicën e atyre turqve apo kurdëve që Erdoan i trajton si terroristë janë vetëm rivalë të tij politikë.

Duket se Thaçi vepron kokë më vete kur lëshon deklarata të tilla dhe sillet si të ishte një lloj guvernatori i Erdoanit për Vilajetin e Kosovës. Për politikën e jashtme të Kosovës nuk është përgjegjës vetëm Thaçi si president, por edhe qeveria e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Të gjithë këta janë anashkaluar nga Thaçi, i cili nga Ankaraja i shpall terroristë ata që si të tillë i konsideron edhe Erdoani.

Menjëherë pas grushtit të shtetit Erdoani e ka bërë përgjegjës për këtë ish-mikun e tij të ngushtë Fetullah Gülenin. Shefi i «lëvizjes Gülen» jeton në SHBA që nga fundi i viteve ’90 dhe ka mohuar çdo lidhje me puçistët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë refuzuar ekstradimin e Gülenit, me gjasë për shkak se akuzat e Erdoanit dhe vartësve të tij nuk konsiderohen si të bindshme. Meqë Thaçi e përqafoi vokabularin e Erdoanit dhe e shpalli Gülenin terrorist, atëherë kjo tani i hap rrugë Turqisë të kërkojë mbylljen e shkollave të këtij predikuesi në Kosovë.

Kësisoj Kosova e bën të varur vendimmarrjen e brendshme me politikat aktuale represive të Turqisë. Këdo që Erdoani tani e shpall terrorist, Kosova duhet ta miratojë vendimin e tij me automatizëm, së paku nëse merren seriozisht fjalët e Thaçit dhe nëse nuk kundërshtohen nga parlamenti i Kosovës dhe nga opinioni publik. Me gjasë Turqia po i shërben Thaçit si burim inspirimi për ambiciet e tij diktatoriale. Pothuaj paralelisht me Erdoanin, i cili po bën plane për ta shndërruar Turqinë në republikë presidenciale, ku parlamenti funksionon vetëm si dekor dhe demokracia është vetëm fasadë, edhe Hashim Thaçi me juristët e tij po bën plane për të forcuar rolin e presidentit në Kosovë, duke i dhënë atij kompetenca të reja në dëm të qeverisë.

Se si po e zhvillon Erdoani luftën «kundër terrorizmit» tregojnë këto të dhëna. Pas përpjekjes për grusht shteti Erdoani tha se kjo ishte «një dhuratë prej Allahut», pra një rast i mirëpritur prej tij për të qëruar hesapet me të gjithë ata që i konsideron kundërshtarë. Deri më tani ai ka larguar nga puna apo suspenduar rreth 100 mijë zyrtarë të shtetit, mes tyre mijëra arsimtarë, profesorë universiteti, policë, ushtarë, oficerë, politikanë lokalë, guvernatorë. Sipas revistës gjermane «Der Spiegel» regjimi i Erdoanit ka mbyllur 180 shtëpi mediale. Qindra gazetarë të pavarur kanë mbetur pa punë; të martën u arrestua edhe njëri prej publicistëve më të njohur turq: «Po më burgosin», shkroi Ahmet Şık në Twitter. Ai u arrestua nën dyshimin se kishte bërë propagandë për Partinë e Punës së Kurdistanit (PKK).

Ahmet Şık është ndër kritikët më të ashpër të «lëvizjes Gülen», por kjo nuk i ka ndihmuar atij për të shpëtuar nga kthetrat e policisë së Erdoanit. Që nga fillimi i nëntorit ndodhet në burg gati tërë udhëheqja e partisë kurde HDP, përfshirë edhe kryetarin Selahat­tin Demir­taş. Prokuroria e akuzon atë për propagandë terroriste në 104 raste. Masa e dënimit për këto delikte është – 500 vjet burg. Sipas kutit të Erdoanit dhe Hashim Thaçit edhe Selahat­tin De­mir­taşi është terrorist. Faji i tij? Si avokat kurd ai është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka bërë përpjekje që me partinë e tij HDP të arrijë një pajtim historik me shumicën turke në vend, ka dënuar terrorin e Partisë së Punës të Kurdistanit. Për këtë angazhim ai është quajtur «Obama i Turqisë». Në një letër dërguar revistës «Der Spiegel» në nëntor De­mir­taş ka shkrua se Erdoani e ka marrë peng: «Kurrë nuk do t’i nënshtrohemi fashizmit. Ne do të vazhdojmë luftën tonë për liri, demokraci dhe paqe».

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut valën e arrestimit të politikanëve opozitarë në Turqi e ka krahasuar me «metodat naziste». Natyrisht politikanët e Kosovës nuk janë në pozicion të ushtrojnë kritika të tilla të ashpra, por së paku prej tyre, edhe prej Thaçit si president, pritet një distancë kritike ndaj pushtetit të Erdoanit dhe një gjest a shenjë solidariteti ndaj Turqisë tjetër, e cila po vuan gjithnjë e më shumë nën sistemin represiv të Erdoanit. Vërtet Erdoani i ka fituar zgjedhjet, por gati 50 për qind e zgjedhësve turq nuk kanë votuar për të. Ata meritojnë mbështetjen tonë për një Turqi demokratike dhe jo të tillë siç është sot: sipas World Jus­ti­ce Pro­ject, një organizatë joqeveritare amerikane, në indeksin e sundimit të ligjit Turqia gjendet në vendin e ’99, pas Iranit dhe Rusisë. Një Turqi e tillë mund të jetë model e shembull për Hashim Thaçin, por jo për qytetarët e Kosovës, të cilët aspirojnë një shtet me vlera europiane.