Ambasadorja gjermane e prerë: Zgjedhjet e reja, skenari më i keq për popullin e Kosovës

Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, ka një porosi të qartë për opozitën – shkuarja në zgjedhje të reja do t’ia humbte shansin Kosovës për liberalizim të vizave, në veçanti.




Përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Viets ka shprehur qartë mendimin e saj se zgjedhjet e reja, ndonëse Kosova ka qeveri funksionale, do të mund ta çonin vendin prapa në proceset integruese.

«Jam e brengosur me zërat e papërgjegjshëm të interesuar në thirrje për zgjedhje të reja – ani pse Kosova ka qeveri funksionale me shumicë bindëse në parlament. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe bllokadës gjashtë mujore me ç’rast Kosova në shumë aspekte mbeti mbrapa, ky do të ishte skenari më i keq për popullin e Kosovës. Politikanët janë përfaqësues të zgjedhur dhe duhet ta vendosin mirëqenien e popullit dhe vendit të tyre përpara interesave apo ambicieve personale. Mund të them me hamendje: me zgjedhje të reja të parregullta, Kosova mund të harrojë liberalizimin e vizave dhe vullnetin e mirë të donatorëve, investitorëve dhe të diasporës», ka thënë Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, raporton Koha.net.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, janë dakorduar për bllokim të punës së Kuvendit deri në, siç thonë ata, tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Isa Mustafa nga marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe, të cilin ata e quajnë «Zajednicë».