Ambasadorja franceze, Daviet konfirmon vazhdimin e mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama–Hajrizi, priti sot në takim ambasadoren e Francës në vendin tonë, Maryse Daviet, të cilën e njoftoi me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, me procesin e punës dhe me sfidat aktuale, njoftoi shërbimi për informim i GJK.




Sipas Komunikatës pas takimit, Rama-Hajrizi gjatë bisedës ka tërhequr vërejtjen për nevojën urgjente për plotësimin e dy vendeve vakante të gjyqtarëve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së këtij institucioni.

Ajo ka folur edhe për përpjekjet e vazhdueshme që po bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës për anëtarësim në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese dhe e ka vlerësuar si shumë me rëndësi intensifikimin e mëtejshëm të komunikimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet homologe jo vetëm në rajon, transmeton Koha.net.

Kryetarja Rama-Hajrizi ka shprehur falënderimin e saj për ndihmën e ofruar Gjykatës Kushtetuese dhe vendit tonë nga shteti francez, veçanërisht kur është fjala për zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë dhe për forcimin e shtetit ligjor.

Ambasadorja Daviet, pasi e përgëzoi kryetaren Rama-Hajrizi për emërimin në detyrën e re, konfirmoi rëndësinë që ka për stabilitetin e Gjykatës përbërja e plotë e gjyqtarëve dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të vazhduar mbështetjen e mëtutjeshme të Gjykatës Kushtetuese në funksion të forcimit të ligjshmërisë në vend, thuhet në komunikatë.