Ambasadori zviceran foli edhe në emër të 200 mijë shqiptarëve që paguajnë taksa në Zvicër, kur kritikoi mashtruesit politikë në Kosovë

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, sot në Skenderaj ka thënë: ju paguani veteranë të rrejshëm, ne investojmë në projektet tuaja – s’ka logjikë. Vetëm në tri vitet e fundit Zvicra për projekte të ndryshme i ka dhuruar Kosovës mbi 62 milionë franga. Këto para janë edhe të shqiptarëve që paguajnë taksa në Zvicër.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet.



Shumë ambasadorë të shteteve perëndimore po e humbin durimin me politikanët sundues të Kosovës. Pas ambasadorit amerikan dhe atij britanik, të cilët kanë kritikuar ashpër keqpërdorimin e parasë publike, nepotizmin dhe mbushjen e administratës shtetërore me njerëz të paaftë, sot më qartë dhe më ashpër se asnjëherë më parë ka folur ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet. Ai mori pjesë në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt dhe me atë rast tha: ju paguani veteranë të rrejshëm, ne investojmë në projektet tuaja – s’ka logjikë.

«Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ka të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2,5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. (…) Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit», nënvizoi ambasadori.

Në hapjen e ujësjellësit ishte edhe kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli, i cili me gjasë shpresonte të përfitojë ndonjë poen politik. Ai iu përgjigj ambasadorit në stilin folklorik «Drenica lind veç trima», duke mos pasur as kurajë, as ndërgjegje publike që kritikën ta marrë seriozisht, sepse është shumë e vërtetë që në Kosovë (edhe në Drenicë) ka veteranë të rrejshëm. Ka shumë madje. Rreth 20 mijë. Së paku. Për këtë janë zhvilluar hetime të gjera. Një prokuror ka ikur në Amerikë nga frika se jeta e tij mund të jetë e kërcënuar. Kryeministri i Kosovës, që sillet si kryeministër i pashallëkut të Deçanit, e ka fyer rëndë prokurorin duke e quajtur «hajn». Dikur Ramush Haradinaj thoshte se në Dukagjin nuk ka pasur më shumë se 6 mijë ushtarë, tash thotë se atje mund të jenë mbi 30 mijë. Po të kishte fuqi më të madhe politike Haradinaj do t’u paguante pension nga arka e shtetit ndoshta 100 mijë njerëzve në Dukagjin e gjetiu në Kosovë me shpresën se kështu e shumëfishon numrin e votave. Ndërsa PDK e ka mbushur administratën me militantë sidomos në dekadën e fundit, Haradinaj po përpiqet të kompensojë qëndrimin larg vegshave të pushtetit duke punësuar pa kriter njerëz të tij dhe duke mbrojtur veteranët e rrejshëm. Përgjigjja që Kadri Veseli i dha sot ambasadorit të Zvicrës tregon nivelin e ulët të klasës politike të Kosovës. Po të kishin ndërtuar shtet serioz Kadri Veseli dhe kamarilla e tij, në Kosovë do të kishte investuar ndonjë firmë gjermane apo zvicerane.

Kur kritikoi pushtetin e keq në Kosovë, kur kritikoi mashtruesit politikë, kur atakoi keqpërdorimin e mjeteve publike, kur tha se administrata shtetërore e Kosovës është fryrë si tupan, ambasadori zviceran foli edhe në emër të 200 mijë shqiptarëve që paguajnë taksa në Zvicër. Me paratë e tyre dhe me paratë e shtetasve të tjerë të Zvicrës vetëm në tri vitet e fundit qeveria në Bernë për projekte të ndryshme i ka dhuruar Kosovës mbi 62 milionë franga. Nëse një shtet i varfër si Kosova harxhon para pa hesap duke alimentuar veteranë të rrejshëm, atëherë është detyrë e ambasadorit që të vë në dyshim edhe politikën e vendit të vet. Intervenimi i sotëm i ambasadorit ka qenë ngaherë i domosdoshëm. Nuk duhet të ketë asnjë tolerancë ndaj qeverisjes së keqe. Dhe ndaj bartësve të kësaj qeverisjeje, kryesimbol negativ i së cilës është Partia Demokratike e Kosovës, e cila është një organizatë parapolitike për keqpërdorimin e pushtetit.