Ambasadori rus në Beograd: «Është e mundur që Rusia të kyçet edhe më thellë në problemin e Kosovës»

Në një editorial për gazetën proqeveritare serbe «Politika» Aleksandar Çepurin ka demonstruar përkrahjen ruse për Beogradin.

Aleksandar Çepurin.



Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Çepurin, ka shkruar të martën një editorial për gazetën «Politika». Shkas për këtë tekst është dita e shtetësisë ruse. Pas një ekspozeje mbi historinë e vendit të tij, Çepurin ka paralajmëruar se «është e mundur që Rusia të kyçet edhe më thellë në problemin e Kosovës». Diplomati rus ka shkruar se sa i përket Kosovës Serbia ndodhet nën presionin e «urrejtësve të serbëve», ndërsa Moska ka qenë dhe do të mbetet në anën e Serbisë. «Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm – do të mbështesim atë vendim që Serbia dhe populli serb e konsiderojnë të pranueshëm për veten e tyre. Nisemi nga ajo se korniza juridike për marrëveshje është një rezolutë e Këshillit të Sigurimit», shtoi ambasadori rus.

Ngjashëm si shefi i tij Vladimir Putin edhe Çepurin nënvizoi se nuk ka paralele mes Kosovës dhe Krimesë, sepse ato janë «dy tregime krejtësisht të ndryshme», ngase, sipas tij, Krimeja vendimin e saj e ka marrë në përputhje me deklaratën e OKB-së të vitit 1970 mbi vetëvendosjen e popujve. Natyrisht kjo s’është e vërtetë, sepse referendumi për shkëputje të Krimesë dhe bashkimin e saj me Rusinë është marrë pas aneksimit të këtij territori ukrainas nga ushtarët rusë. Rusia ka intervenuar në Krime me motiv aneksimi, ndërsa qeveria e Kievit atje nuk kishte vrarë asnjë pjesëtar të popullsisë ruse. Pavarësia e Kosovës, ndërkaq, është rezultat i politikës agresive të Serbisë, e cila synonte ta kontrollonte territorin duke dëbuar popullsinë shumicë shqiptare, e cila refuzonte zgjedhën serbe.

Sidoqoftë, Çepurin mendon se çështja e Krimesë është e mbyllur përfundimisht. «Krimeja është Rusi, ndërsa Kosova Serbi. Kjo nuk është vetëm parullë, por realitet juridik dhe duhet të respektohet». (dp)