Ambasadori i Zvicrës është bërë hero i popullit të Kosovës, ndërsa ministri që kërkon dëbimin e tij është – një injorant

Një me-nder-me-thënë ministër, një injorant i qeverisë së Kosovës paska kërkuar që të dëbohet ambasadori i Zvicrës. Duhet të ndodhë e kundërta: të largohet injoranti nga qeveria. Sepse ambasadori dhe shteti zviceran gëzojnë respekt të madh në Kosovë.

Foto: Shutterstock



  1. Zvicra ka qenë vendi i parë që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka nënvizuar se për Kosovën nuk ka zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.
  2. Vetëm 10 ditë pas shpalljes së pavarësisë Zvicra e ka pranuar shtetin e Kosovës, duke hyrë kështu në grupin e parë të shteteve që kanë vulosur mëvetësinë e Kosovës.
  3. Që nga fillimi i viteve ’60 rreth 300 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia shqiptare, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi kanë punuar apo gjetur strehim në Zvicër. Pa ndihmën e këtyre njerëzve Kosova nuk do të ishte kjo që është sot.
  4. Që nga viti 1999 mijëra ushtarë zviceranë kanë ruajtur paqen në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
  5. Që nga viti 1999 Zvicra ka financuar mbi 20 projekte për furnizim me ujë të qytetarëve të Kosovës. Për këtë qëllim Zvicra ka ndarë rreth 50 milionë franga – para të taksapaguesve. Mijëra taksapagues në Zvicër janë shqiptarë. Ministër-injoranti me thirrjen e tij për dëbimin e ambasadorit zviceran i fyen edhe shqiptarët e Zvicrës.
  6. Vetëm në tri vitet e fundit Zvicra për projekte të ndryshme i ka dhuruar Kosovës mbi 60 milionë franga.
  7. Në prill 1999 në kuadër të aksionit «Glückskette» (Zinxhiri i fatit) qytetarët zviceranë dhuruan 49,5 milionë franga për refugjatët e Kosovës.
  8. Në vitet 1998/99 Zvicra ka pranuar rreth 50 mijë refugjatë nga Kosova. Pjesa më e madhe e tyre u kthyen në Kosovë pas çlirimit – dhe kthimin e tyre e përkrahu financiarisht Zvicra.
  9. Gjatë viteve të luftës nga Zvicra kanë ardhur në Kosovë për të ndihmuar në çlirimin e vendit qindra shqiptarë. Pothuaj asnjëri prej tyre nuk e ka humbur lejen e qëndrimit në Zvicër.
  10. Edhe tani kur autoritetet serbe lëshojnë fletarreste kundër ish-ushtarëve të UÇK-së me banim në Zvicër, organet zvicerane të drejtësisë refuzojnë ekstradimin e tyre.
  11. Ministri injorant kërkon dëbimin e ambasadorit të Zvicrës, ndërsa nuk guxon t’ua përmend emrat ambasadorëve të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të cilët pothuaj çdo ditë e përshkruajnë këtë pushtet si të ndyrë, nepotist dhe të korruptuar.
  12. Ambasadori i Zvicrës në Kosovë është ndër më të zëshmit në kritikat ndaj BE-së, e cila po i mban qytetarët e Kosovës të izoluar.
  13. Zvicra ka dhënë kontribut të madh në themelimin e mediave publike të Kosovës. (Nuk është faji i Zvicrës që partitë politike të Kosovës i kanë shndërruar këto media në megafona të propagandës).
  14. Por si ambasadori ashtu edhe çdo qytetar zviceran ka të drejtë të pyes: ku dhe si po harxhohen paratë tona? Të cilat nuk ia kemi borxh Kosovës. Siç nuk ia kemi as Moldavisë. As Maqedonisë. As Serbisë. Ministri injorant i qeverisë së Ramush Haradinajt nuk e di çka domethënë para e taksapaguesve, sepse mentaliteti i tij qeverisës është i cubit që fut dorën në vegshin e pushtetit për të marrë sa më shumë që të jetë e mundshme.
  15. Për dallim nga Kosova ku askush nuk kërkon llogari gati për asgjë, në Zvicër mediat, partitë politike, opinioni vazhdimisht i bëjnë presion qeverisë të tregojë se si i ka harxhuar paratë e parapara si ndihmë për vende në nevojë.
  16. Ministri injorant nuk e di se gjatë luftës armët më moderne në duart e ushtarëve të UÇK-së kanë qenë edhe të ushtrisë zvicerane. Si kanë ardhur ato në Kosovë është çështje që i mbetet historisë, por këtu po e përmendim edhe këtë fakt për të demaskuar një injorant kolosal me kapacitet mendor të trumcakut.
  17. Zvicra dhe bashkë me të mijëra shqiptarë me shtetësi zvicerane janë krenarë me punën dhe me qëndrimet e ambasadorit në Prishtinë. Njëkohësisht mijëra shqiptarë jo vetëm me qëndrim në Zvicër, por edhe shumica e shqiptarëve në Kosovë janë të turpëruar që një injorant i tillë si ministri nga radhët e AAK-së e keqpërdorë hapësirën mediale për të lëshuar në eter deklarata absurde.
  18. Presidenti i Turqisë e ka fyer publikisht kryeministrin e Kosovës, por ministri injorant nuk bërë zë fare. Tash bëhet si trim në rastin e ambasadorit zviceran, i cili ka folur siç flet edhe çdo qytetar zemërplasur i Kosovës, i lodhur nga një kotillë primitive që vjedh popullin dhe shkatërron shtetin.
  19. Natyrisht që ambasadori zviceran nuk do të largohet dhe as që ka takat një injorant ta largojë atë. Por deklaratat skandaloze vetëm tregojnë se nga çfarë lëngate politike po vuan Kosova.
  20. Ambasadori i Zvicrës ka të drejtë të kritikojë keqqeverisjen në Kosovë, ka të drejtë të pyes se si ndodhi që si me magji u shtua numri i veteranëve të luftës, si u bë që në buxhetin aktual të Kosovës të ndahen vetëm 3,9 milionë për rregullimin e furnizimit me ujë, si u bë që kryeministri ta quajë vjedhës një prokuror, i cili nisi hetimet kundër vjedhësve të vërtetë – atyre që u futën në lista të veteranëve për të marrë një rrogë dhe pastaj për të votuar për partinë e shefit. Secili ambasador ka të drejtë të pyes se prej nga i mori paratë kryeministri i Kosovës për të kaluar pushimet në njërin prej hoteleve më të shtrenjta në St. Moritz të Zvicrës, ndërkohë që qindra-mijëra kosovarë mezi mbijetojnë për shkak të kushteve të vështira të jetesës. Ndihmat financiare që ka dhënë Zvicra që nga viti 1999 kalojnë qindra milionë, plus disa qindra lopë të sjella me aeroplanë në Prishtinë. Por as këtë nuk e ka parasysh ministër-injoranti që nuk ka ëndrra të tjera për Kosovën përveç se për të futur ndonjë familjar në punë.