Ambasadori i shqiptarëve

Lajmi i hidhur për vdekjen e Aleksandar Stipčevićit, arkeologut e historianit profesionist, njeriut që gjatë gjithë veprimtarisë së tij u mor me artin dhe kulturën e ilirëve, me bibliografinë e antikës, me historinë e përgjithshme dhe nacionale (kroate) të librit e të bibliotekave etj.




In memoriam

Lajmi i hidhur për vdekjen e Aleksandar Stipčevićit, arkeologut e historianit profesionist, njeriut që gjatë gjithë veprimtarisë së tij u mor me artin dhe kulturën e ilirëve, me bibliografinë e antikës, me historinë e përgjithshme dhe nacionale (kroate) të librit e të bibliotekave, me çështje të censurës dhe përgjithësisht me fatin e librit në shoqëri, me enciklopedistikë, me historinë dhe me sociologjinë e librit do të prekë thellë jo vetëm shpirtin e bashkëvendësve të tij të arbanasit dhe të opinionit kroat e shqiptar, por edhe më gjerë. Biri i prindërve arbanas të Zarës, qëndroi vetëm pak kohë në qytetin e tij të lindjes: pasi që në vitin 1954 kishte diplomuar për arkeologji në Universitetin e Zagrebit, një kohë të shkurtër (në vitin 1957) Stipčevići punoi në Muzeun Arkeologjik dhe në Institutin e Shkencave të Historisë në Zarë, për t‘u kthyer përsëri në vitin 1977 dhe në Fakultetin Filozofik të Zarës të doktorojë me tezën «Simbolizmi religjioz i ilirëve». Ndryshe, arbëreshi Stipčević e kaloi pothuaj gjithë shekullin e tij të veprimtarisë «me punë të përkohshme» në Zagreb.

Aleksandar Stipčevići ishte arkeolog, bibliolog, bibliograf, albanolog, bibliotekist dhe eseist. U lind në lagjen «Arbanas» të qytetit të Zarës më 10 tetor 1930. Në qytetin e tij të lindjes e kreu shkollën fillore e të mesmen, ndërsa në vitin 1954 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit diplomoi në lëndën e arkeologjisë. Me tezën «Simbolizmi religjioz tek ilirët» doktoroi në vitin 1977 në Fakultetin Filozofik të Zarës. Një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik dhe në Institutin e shkencave të historisë të Zarës, ndërsa në vitin 1957 kaloi të punojë në Bibliotekën Nacionale e Universitare në Zagreb. Në vitet 1974-1983 qe drejtor i Bibliotekës së Akademisë Jugosllave të Shkencave e të Arteve [JAZU] (sot Akademia Kroate e Shkencave dhe e) Arteve, HAZU) e më pastaj punoi edhe në Entin Leksikografik «Miroslav Kerleža», në postin e redaktorit profesional të botimeve të këtij institucioni (ndër të tjera edhe i botimit të dytë të Enciklopedisë së Jugosllavisë, botimit të Leksikonit biografik të Kroacisë dhe të Enciklopedisë së Kroacisë), në Fakultetin Filozofik të Zagrebit etj.

Kolosi arbëresh A. Stipčević ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kroaci e në botë të jashtme; ka qëndruar si bursist dhe udhëtime shkencore në Itali, Gjermani, Angli, Kore, Jordani, Turqi, Danimarkë, Shqipëri dhe në shumë vende të tjera. Ka publikuar më shumë se 200 punime shkencore e profesionale në kroatisht, italisht, anglisht, frëngjisht e shqip dhe pikërisht në publikime nacionale kroate e në sosh ndërkombëtare.

Kolosin e dijes së ilirologjisë, shkencëtarin e vyeshëm kroat me prejardhje arbëreshe më ra ta njoh në v. 1974, në kohën kur ishte drejtor i Bibliotekës së Akademisë Kroate të Shkencave. Në Bibliotekën Universitare po kërkoja harta të vjetra gjeografike në të cilat do të ketë qenë e përfshirë edhe hapësira e Dardanisë së lashtë, përkatësisht e Kosovës dhe e viseve të tjera të banuara nga shqiptarët dhe pasi nuk gjeta ç’ kërkoja, një nëpunëse e kësaj biblioteke më këshilloi që për këtë punë ta kërkoja ndihmën e ambasadorit të shqiptarëve. Meqë e dija se së pakut ne kosovarët nuk kishim ambasadë në Zagreb dhe ç’është më e keqja meqë nuk dija sa duhet për këtë kolos të ilirologjisë e të albanistikës, naivisht e pyeta nëpunësen se si u bëka që ne, edhe pse s’kishim ambasadë, të kemi ambasador. Me butësi e buzagaz ajo më sqaroi se «ambasador i shqiptarëve» për historinë dhe kulturën e tyre qenka pikërisht dhe me të drejtë Aleksandar Stipčevići.

Lidhja shpirtërore e arbëreshit Stipčević me historinë e me kulturën e bashkëkombësve të tij shpaloset fort mirë mbi bazën e librave e të studimeve të tij të botuara përkitazi me ilirët dhe pikërisht: «Arte degli Illiri», Milano 1963. (bot. angl. 1963), «Gli Illiri», Milano 1966 (përkthimi në shqip në v. 1967 [Ilirët]), që është një sintezë për artin e ilirëve dhe që deri tani ka përjetuar nëntë botime në katër gjuhë: kroatisht, anglisht, shqip dhe italisht; «Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji» (I–II, 1977), «Bibliographia Illyrica», Sarajevë 1967 (suplementet janë botuar në vitet 1974, 1978 dhe 1984), «Iliri – povijest, kultura, život», Zagreb 1974, 1989, 1991 (i përkthyer në angl. në v. 1977 dhe në shqip [Ilirët – Historia, Kultura, Jeta] në vitin1980 dhe i ribotuar në vitet 1990 dhe 2002), «Kultni simboli kod Ilira», Sarajevë 1981. (botimet në shqip [Simbolet e kultit tek ilirët] në vitet 1983, 1990 dhe 2002), dhe me arbëreshët e Zarës traditën kulturore të të cilëve e përimtoi në disa punime të tij që u kurorëzuan me librin kroatisht «Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa», Zagreb 2011 [Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës], e botuar në vitin 2013 nga Instituti Antropologjik përkatësisht Instituti i Antropologjisë kulturore dhe i studimit të arteve të Prishtinës. Vepër e rëndësishme nga fusha e dijes së albanologjisë e Stipčevićit është libri «Interpretime albanologjike», i botuar në Shkup në vitin 1994. Me rastin e vdekjes së Aleksandar Stipčevićit, një bashkëvendëse e arbanasit tha, me të drejtë, për bashkëkombësin tonë se ka njerëz që punojnë vetëm sa zgjat një jetë njeriu. Aleksandar Stipčevići është ndër të rrallët, veprimtaria e të cilit përmbush më shumë se një jetë njeriu.

Jo vetëm që Kosova i përktheu në shqip dhe i botoi e ribotoi veprat më të rëndësishme të Stipčevićit [khs. më lart], përfshirë këtu edhe librat «Historia e Librit» [kroatisht] Zagreb 1985. (botimet në shqip në vitet 1988 dhe 2000) dhe Mbi censorin e përkryer [kroatisht], Zagreb 1994 (botimi në shqip në viti 2002), por edheiInstitucionet gjegjëse arsimore e shkencore të Kosovës e vlerësuan me dinjitet kontributin e tij dhënë arsimit e shkencës. Kështu, gjatë viteve 1970-1973, si bashkëpunëtor i jashtëm në cilësinë e ligjëruesit të lartë, Stipčevići ligjëroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinë lëndën «Hyrje në arkeologji», ndërsa që nga viti 1983 arbëreshi i Arbanasit të Zarës ishte anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2001 anëtar i jashtëm (Socio straniero) i Accademia Marchigiana di Scienze, Lettere ed Arti në Ancona. Anëtar i PEN-it të Keoacisë, i Shoqatës kroate të arkeologëve dhe i Matica Hrvatska.

Për krijimtarinë e tij shkencore, Stipčevići u nderua me disa dekorata: në vitin 1983, për punën në fushën e dijes së bibliotekarisë iu nda Karta e Kukuljevićit, ndërsa në v. 1998 u dekorua me Urdhrin e Danica Hrvatske me portretin e Markao Marulićit; për veprën jetësore të tij, Stipčevićit iu dha në v. 2004 Shpërblimi i qyteteve të Zagrebit e të Zarës. Në vitin 2006 Stipčevićit iu nda Karta e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit si mirënjohje për meritat më të larta dhe rezultatet e arritura në punën teorike e praktike në fushën e shkencave të informatikës dhe të bibliotekarisë. Në harkun kohor midis viteve 1973 deri në v. 1999 ishte anëtar i Këshillit botues të edicionit «Annual Bibliography of the History of the Printed Books and Libraries», që botohet në Den Haag.

Jo që nuk e vlerësonte punën e shkëlqyeshme dhe të vëllimshme të Stipčevićit, por për shkak të raporteve politike midis ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, shteti i Shqipërisë e «njohu Stipčevićin më vonë» – përkatësisht menjëherë pas demokratizimit të vendit. Presidenti Rexhep Mejdani i Republikës së Shqipërisë e dekoroi bashkëkombësin e vet arbëresh me dekoratat më të larta shtetërore të Shqipërisë: medaljen e artë «Naim Frashëri» për kontributin që i dha «ndriçimit të historisë së ilirëve» (më 15 shkurt 2001) dhe me urdhrin «Skënderbeu», dekoratë me të cilën presidenti i Shqipërisë i nderon shqiptarët më të njohur dhe miqtë e shqiptarëve të cilët e promovojnë kulturën dhe shtetin e shqiptarëve nëpër botë (2015).

U prehtë në paqe dhe faleminderit profesorit tonë për gjithë ç’bëri për dijen e bibliotekarisë, për arbëreshët e Zarës dhe për ilirologjinë e për albanologjinë.