Ambasadori i SHBA: Raportime për presione serioze dhe rryshfet ndaj gjyqtarëve për çështjen Tahiri

Ambasadori i SHBA Donald Lu në një deklaratë për Ballkanweb pohoi se kishte raporte serioze për presione dhe rryshfet para shqyrtimit në apel të masës së sigurisë për ish-ministrin Saimir Tahiri. Lu kërkoi që vendimi të jepej «mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presionet».

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe avokati i tij, Maks Haxhia, duke dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në Dhjetor 2017 | Foto : LSA



Ambasadori i SHBA Donald Lu deklaroi të dielën pasdite për mediat se kishte raportime për presion dhe rryshfet ndaj gjykatësve që do të shqyrtojnë apelin e masës së sigurisë së ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Deklarata e Lu u dha për faqen Ballkanweb, e cila citoi se ambasadori kërkonte vëmendje më të madhe të gazetarëve dhe shoqërisë civile ndaj çështjes, që do të shqyrtohet në apel këtë të hënë. «Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve», citohet Lu. Ai po ashtu ka thënë se vendimi për këtë çështje duhet që të bazohet «mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para». «Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para», citohet Lu.

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri nuk që i arritshëm përmes telefonit. Avokati i tij Maks Haxhia i tha BIRN se nuk e besonte që këto ishin deklarata të ambasadorit. Ambasadori i SHBA në Tiranë ka mbajtur shpesh qëndrime të ashpra publike sa i përket politikanëve të akuzuar për abuzim me detyrën apo lidhje me krimin. Lu më herët ka përshëndetur apo mbajtur qëndrim edhe për rastet e disa ish-deputetëve apo zyrtarëve të lartë që humbën mandatin apo u gjykuan për çështje të ndryshme, ndërsa ka këmbëngulur në gjykimin e atyre që i pagëzoi si «peshqit e mëdhej». Më herët Lu përshëndeti heqjen dorë prej Tahirit nga mandati i deputetit, ndërsa kërkoi që çështja e tij të shqyrtohej nga drejtësia dhe jo nga politika.

Pasi Saimir Tahiri la mandatin e deputetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi masë sigurie «arrest me burg» ndaj ish-Ministrit të Brendshëm të akuzuar për trafik narkotikësh si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të vëllezërve Habilaj, të arrestuar në Itali. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masë sigurie «arrest shtëpie» për ish-ministrin, ndërsa prokuroria paraqiti disa prova të reja rreth kontakteve mes tij dhe vëllezërve Habilaj. Ndërkohë Tahiri ka mohuar akuzat dhe e cilësoi prokurorinë keqdashëse. Të dy palët vendosën të apelojnë çështjen dhe shqyrtimi për të do të bëhet të hënën.
(BIRN, reporter.al)