Ambasadorët e Quint-it e përfaqësuesit e BE-së: Veprimet e opozitës të papranueshme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë – të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në vendin tonë, transmeton koha.net.




Ambasadorët shprehën shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare.

Ata i dhanë mbështetje të plotë Kryetarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale.

Ambasadorët theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cenojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Ata theksuan se të tilla veprime antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.

Nga ana e tij kryetari Veseli falënderoiambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore.

Më tutje Veseli theksoi nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.

Kryetari Veseli në takim premtoi se do të vazhdojë kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara.

«Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike», tha Veseli .

Ai theksoi se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkretë në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.