Altoparlantët me rrëfimet e refugjatëve




Kur ndien të ftohtë e përthekon deri në qafë xhaketën e kaltër. Pas kësaj shpërvjel tutat sportive. Denisa (11) e ka hallin t’i ngrohë këmbët përderisa bie shi i imët. Mban mbathur sandale.

Këmbët e mbuluara me çorape të hirta i vë në një copë druri krejt afër stufës që qëndron e ndezur prapa shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në qendër të Prishtinës. Denisa i ngroh duart duke i shtrënguar në gotën e çajit. Herë njërën e herë tjetrën ajo i përpjek me gotën e qelqtë, tek pi një çaj të gjelbër, shkruan sot „Koha Ditore“.

“Njërin prind e kam nga Kosova e tjetrin nga Shqipëria”, tregon kthjellët në gjuhën shqipe vajza rome, tek shton shpejt se krejt familja janë refugjatë.

Midis hapësirave publike

Zeshkania krijon përshtypje se është duke u kënaqur gjatë festivalit të artit në hapësirat publike “HaPu”, që sivjet ka nisur të mbahet për herë të parë në Prishtinë.

Në vazhdën e aktivitete njëjavore, instalacioni “The Speakers” (Altoparlantët) i ideuar nga artistët anglezë Thor Mclntyre-Burnie dhe Toby Jarvis, ka për qëllim që të lidhë hapësirat publike.

16 altoparlantë janë vendosur gjithandej hapësirës pranë selisë qendrore të Qeverisë së Kosovës. Secili nga altoparlantët ka sipër një çadër. Gjatë gjithë kohës dëgjohen 16 rrëfime të ndryshme. Secili nga altoparlantët bën edhe dritë gjatë mbrëmjes.

E përderisa kalimtarët kalojnë në këtë pjesë mund të marrin me vete copëza të rrëfimeve të ndryshme. Në altoparlantin midis dy stufave që qëndrojnë ndezur gjatë gjithë kohës dëgjohet një i ri duke folur për jetën e refugjatëve.