Alpet – më afër kozmosit se tokës që të ngrohë

Alpet janë gjithçka tjetër përveç se mikpritëse për t’u shpërngulur dhe për të banuar aty. Njerëzit vazhdimisht kanë qenë të interesuar që këto rajone të djerra alpine të mos i shfrytëzojnë vetëm si qafëmale dhe rrugë për të shkuar në treva të tjera, për të shkëmbyer mallra dhe bërë tregti, por edhe për t’u vendosur në alpe, për të kaluar atje stinët e vitit dhe për t’i garantuar vetes dhe njerëzve të afërt një ekzistencë me dinjitet.

Foto: Shutterstock



Fluturime dhe udhëtime
Peizazhet karakterizojnë njerëzit. Dhe njerëzit karakterizojnë peizazhet. Në korrelacionin mes rrethanave natyrore dhe njerëzve që veprojnë brenda tyre krijohen bazat për atë që e quajmë civilizim. Civilizimi është diçka si transformimi social dhe kulturor i ambientit natyror, i cili është i dobishëm për njerëzit. Është aftësia e njerëzve që t’i përshtaten rrethanave natyrore dhe të hapin për vete dhe për bashkëkohësit e tyre hapësira të reja jetike. Në këtë proces transformimi krijohen lagje dhe vendbanime me format e përshtatshme ekonomike, me format politike të organizimit, praktikat dhe ritualet e një bashkësie për sigurimin e bashkëjetesës. Më e habitshmja është se njerëzit nuk zënë vend me sukses vetëm atje ku natyra e bën të lehtë ngulitjen dhe banimin. Edhe atje ku konditat natyrore janë të papërshtatshme dhe të vështira për t’i mposhtur, njerëzit gjinden, përballen me rreziqet dhe vendin e egër e bëjnë të banueshëm, në pajtim me kërkesat e njeriut dhe madje edhe të përzemërt ndaj njeriut.

Alpet
Alpet janë gjithçka tjetër përveç se mikpritëse për t’u shpërngulur dhe për të banuar aty. Hipni një ditë me diell në avion dhe hidhni një shikim nga ajri rajonit të alpeve. Do të zbuloni sa armiqësor në thelb është peizazhi alpin ndaj jetës. Për filozofët ky ka qenë shpeshherë shkas për habi. Ishte Friedrich Nietzsche, i cili mes viteve 1881 dhe 1888 kaloi disa vera në Engadin, që fascinohej nga përvoja e atij kufiri pas së cilit nuk sundon më jeta, por vdekja. Ai mendonte se atje lart në Sils-Maria je më afër kozmosit se tokës që të ngrohtë. Nëse nga aeroplani shikoni alpet, do të zbuloni se ky peizazh me shkëmbinj dhe borë të përjetshme duket se nuk është bërë për njeriun. Peizazhi gjendet këtu thua se po pret diçka më të madhe se ne. Si mund të kenë njerëzit ambicie të adaptohen në këtë botë armiqësore?

Njerëzit vazhdimisht kanë qenë të interesuar që këto rajone të djerra alpine të mos i shfrytëzojnë vetëm si qafëmale dhe rrugë për të shkuar në treva të tjera, për të shkëmbyer mallra dhe bërë tregti, por edhe për t’u vendosur në alpe, për të kaluar atje stinët e vitit dhe për t’i garantuar vetes dhe njerëzve të afërt një ekzistencë me dinjitet. Historia e popullimit të alpeve është një provë fascinuese e mbijetesës, e cila ka zgjatur me shekuj dhe deri më sot është e karakterizuar nga lufta kundër rrethanave armiqësore të natyrës ndaj jetës. Ende është këtu: e pafrenueshmja dhe kolosalja, masa e asaj që njerëzit nuk mund ta ndryshojnë. Në të vërtetë është arritur që disa maja të kodrave më të bukura të pajisen me linja hekurudhore, hotele dhe rregullime të tjera të rehatisë. Ndaj shumë gjërave është krijuar qasje falë kontributeve teknike nga dëshira jonë për përvojë. Të arritura të shkëlqyeshme të Homo faberit (roman i autorit zviceran Max Frisch mbi një inxhinier të dhënë pas teknikës, v.j.). Por madhështia e lartë e peizazhit, furia dhe radikalizmi i tij bëhen të njohura tek pas zbulimit se sa e pandryshueshme dhe indiferente mbetet natyra përballë dëshirave dhe kërkesave njerëzore. Në këtë mospjesëmarrje të natyrës në shqetësimet tona gjendet një garanci e çuditshme se njerëzit prapëseprapë nuk ia dalin që përmes tekeve dhe kuturisjes t’i ndryshojnë tërësisht parakushtet për jetë. Mos harroni: njëzet e një për qind e territorit të Zvicrës ekspertët e statistikës e quajnë «joproduktive». Mbi një e pesta e këtij vendi nuk është e përshtatshme për të mbijetuar! Megjithatë: kush mund t’i shmanget fascinimit për këtë realitet armiqësor ndaj jetës?

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).