Almir Aliu si trofe për manipulim emocional dhe politik

Fëmija Almir Aliu është viktimë e të rriturve, e urrejtjes ndëretnike, por edhe e mediumeve dhe patriotëve të rrejshëm që ditën e kalojnë në Facebook duke transportuar thashetheme për të ndezur gjakrat.

Ka disa ditë që në botën shqiptare mediumet sociale vlojnë me fotografi, me shënime («statuse» në Facebook) dhe me artikuj joprofesional portalesh mbi një rast të rëndë në Kumanovë, ku pas një ngatërrese fillimisht verbale mes një maqedonasi dhe një familjeje shqiptare humbi jetën Almir Aliu. Ai ishte vetëm 4-vjeçar. Çdo jetë e humbur është për t’u pikëlluar. Edhe më shumë duhet të shqetësohemi kur energjia kriminale ua merr jetën fëmijëve. Shqetësuese është që opinioni maqedonas ka reaguar me indiferencë ndaj rastit të rëndë. Madje nuk kanë munguar në rrjetet sociale edhe fjalët raciste ndaj shqiptarëve.

Në këso momentesh vërehet një lloj demonstrimi i homogjenitetit nacional të maqedonasve ndaj shqiptarëve, të cilët trajtohen si «mish i huaj» në këtë shtet, si qytetarë të dorës së dytë dhe jo si hisedarë të barabartë. Këtë klimë urrejtëse ndaj shqiptarëve e ka krijuar sidomos qeveria e Nikolla Gruevskit. Një vit më parë qarqe të afërta me Gruevksin gjetën disa shqiptarë me biografi kriminale për të inskenuar një përleshje të armatosur në Kumanovë me shpresën se do të shpërthejë një konflikt etnik, i cili do t’i shërbente atij për të neutralizuar opozitën që e akuzonte me fakte për përgjim të së paku 20 mijë qytetarëve. Edhe sot një pjesë e madhe e opinionit shqiptar të vrarët pa asnjë nevojë në Kumanovë i konsideron heronj dhe jo njerëz që ranë në një grackë të shërbimeve sekrete.

Sa i përket vdekjes së Almir Aliut duhet thënë se shqetësuese janë edhe reagimet e një pjese të opinionit shqiptar. Rasti deri më tani i është prezantuar publikut pak a shumë kështu: një nacionalist maqedonas ka marrë veturën dhe ka dalë ekstra në qytet për të vrarë shqiptarë. Rastësisht e ka parë familjen fatkeqe shqiptare, e ka shtypur atë me veturë dhe nga lëndimet pastaj ka vdekur Almir Aliu. I treguar kështu ky rast u ka dhënë hov krejt patriotëve të vetëshpallur shqiptarë të Facebookut për të bërë thirrje për mobilizim kombëtar kundër «sllavëve të ndyrë». Një kalemxhi nga Tirana kishte shkruar një tekst patetik me nota pseudopatriotike dhe akuzues ndaj racizmit maqedonas. Është e vërtetë që maqedonasit kultivojnë racizëm ndaj shqiptarëve, por kur kalmexhiu në fjalë pyet nëse vrasësi maqedonas i Almir Aliut është «turk i shartuar», atëherë çfarë është kjo përveç se racizëm? Racizmi nuk luftohet me racizëm.

Mediumet dhe trimat e Facebookut janë koncentruar në përshkrimin e ngjarjes si konflikt mes nacionalizmit maqedonas dhe shqiptarëve si viktima të përhershme. Shqiptarët në Maqedoni vërtet shtypen prej dekadash nga shumica maqedonase, fundja s’kemi parë shtet në Europë në 5 dekadat e fundit, i cili ka vrarë qytetarët e vet vetëm përse kanë kërkuar shkollim universitar, siç ka ndodhur në Maqedoni. Por rasti i Kumanovës duket i papërshtatshëm për lojëra nacionaliste me muskuj dhe zemërim kolektiv nacional. Deri më tani asnjë medium shqiptar nuk ka raportuar në mënyrë profesionale për këtë krim, ndërsa mediumet maqedonase kryesisht kanë heshtur, gjë që nuk e bën skandalin më të vogël. Sot, ndërsa janë publikuar pamjet e sulmit kriminal me veturë, ngjarja duket nën një dritë të re: krimineli maqedonas godet fëmijën, por në vendin e ngjarjes shihen pastaj dy grupe duke u rrahur, është një përleshje mes maqedonasve dhe shqiptarëve, mes dy klaneve pjesërisht familjare. Burimi i këtij konflikti thuhet se ishte një fjalosje në spital. Përse për këtë pjesë të ngjarjes nuk ka informuar në detaje asnjë medium shqiptar? A dihet më shumë se çfarë ka ndodhur para se kamera të regjistrojë pamjet e llahtarshme të shkeljes së Almir Aliut?

Autori i krimit duhet të marrë dënimin e merituar, por gjithashtu është me rëndësi që Almir Aliu të mos keqpërdoret si trofe për manipulim emocional dhe politik. Pikërisht këtë po e bën opozita shqiptare në Maqedoni, e cila financohet edhe nga burime të dyshimta nga Turqia. Almir Aliu është shndërruar në trofe politik për larje hesapesh mes partive politike shqiptare dhe mediumeve të afërta me to. Është e vërtetë që Ali Ahmeti si politikani kryesor shqiptar në Maqedoni bart barrën më të rëndë të përgjegjësisë për zhvillimet negative apo pozitive, por a është serioze që ai të vihet në shënjestër edhe për çdo fjalosje me epilog tragjik mes maqedonasve dhe shqiptarëve? A duhet të ketë edhe përgjegjësi qytetare apo për çdo gjë duhet të akuzohen vetëm politikanët?

Jashtë Maqedonisë jo pak shqiptarë flasin pa ditur gati asgjë për ngjarjen, madje disa tani e shohin momentin e duhur për të treguar se «jemi 10 milionë shqiptarë në Ballkan» dhe «nuk do të lejojmë të na shkelin sllavët e qelbur». Krejt ndryshe ka qenë reagimi i opinionit shqiptar kur në vitin 2010 në Himarë u vra minoritari grek Aristotel Guma. Autoritetet dhe politika shqiptare e dënuan atëbotë vrasjen si një akt të shëmtuar dhe kërkuan vënien përpara drejtësisë të autorëve, por në rrjetet sociale «shqiptarët që vranë grekun e pistë» lavdëroheshin si heronj. Maqedonasi që shkel një fëmijë shqiptar është kriminel, pa fije dyshimi, por përse qenkan patriotë ata shqiptarë që shkelin një grek në Himarë, sado provokator, nacionalist dhe nxitës urrejtjeje të ketë qenë Aristotel Guma?

Bojan Iliq, vrasësi i Almir Aliut, në Kumanovë njihet si delikuent i rrezikshëm, një burim thotë se ka sulmuar edhe policët. Krimi i tij nuk duhet të arsyetohet dhe nuk mund të arsyetohet. Për shumicën sllave ky rast është një test pjekurie: nëse maqedonasit sllavë vazhdojnë të heshtin, ata tregojnë sërish se nuk duan shtet të përbashkët me shqiptarët. Për shqiptarët ky rast shpalos krejt përçarjen që ekziston jo vetëm në spektrin politik shqiptar, por edhe mes vetë qytetarëve. Ky është edhe qëllimi i politikës së Nikolla Gruevskit: dobësimi i faktorit shqiptar duke krijuar rrethana për themelimin e sa më shumë partive shqiptare, duke i shantazhuar politikanët shqiptarë me dosje shërbimesh sekrete dhe afera të tjera dhe duke u lënë hapësirë të lirë veprimi imamëve më radikalë, të cilët të pajisur me pasaporta maqedonase udhëtojnë pa viza kudo në Europën përndimore dhe helmojnë edhe disaporën shqiptare me vokabularin e tyre nxitës.

Kriminaliteti dhe korrupsioni në partitë shqiptare në Maqedoni ka ndikuar që gati asnjë politikan të mos ketë autoritet të duhur në mesin e shqiptarëve. Politikanët e Prishtinës dhe Tiranës Shkupin e shfrytëzojnë vetëm për t’u takuar me ndonjë sekser tenderësh. Kështu ka ardhur puna që autoriteti i vetëm nga Tirana që pritet me entuziazëm nga shqiptarët e Maqedonisë është imami Elvis Naçi. Ky zhvillim duhet ta shqetësojë Ali Ahmetin. Ai ka më shumë përgjegjësi se gazetarët në shërbim të partive politike dhe trimat e Facebookut që hedhin benzinë në zjarr.

Deri më tani me zërin e arsyes kanë folur babai i kriminelit Iliq. Ai i ka kërkuar falje familjes shqiptare, ndërsa Nijazi Aliu, kryefamiljar i familjes Aliu, për Anadolu Agency (AA) ka thënë se familja e tij mbi 100 vite jeton në Kumanovë dhe asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme të tilla. Ai duke falënderuar popullin shqiptar për mbështetjen ndaj familjes së tij në këto ditë të vështira, apeloi që rasti i Almirit të mos keqpërdoret në baza nacionaliste. «Mesazhi ynë është të ruhet qetësia, butësia, paqja dhe aq. Ne nuk drejtohemi mbi baza nacionale, nuk duam të hakmerremi për diçka. E vetmja gjë që duam është që drejtësia të dalë në shesh dhe krimineli që ka kryer këtë vepër të dënohet».