Allegra!

Zvicra është një vend i bukur, i karakterizuar nga shumë kushte të favorshme jetësore. Zviceranët dhe zviceranet konsiderohen si natyra të rezervuara, serioze, të qeta dhe të druajtura. Lumturia e tyre assesi nuk mund të lexohet në fytyrat e tyre në çdo vend dhe në çdo orë të ditës. Tani takon dikë, i cili thotë: «Allegra!» Me këtë ai thotë: ti i ke të gjitha arsyet të gëzohesh! Të jesh i lumtur! Ta kesh lehtë! Ec përpara i kënaqur dhe plot dëshirë! Përqafoje jetën! Freskohu! Vazhdo me disponim të mirë! Që të ndihesh mirë!

Një përrallë zvicerane: Engadini në dimër.



Tani dua t’ju them «Allegra!» Kjo është një fjalë që përdoret kur në një fshat në Engadin takon një fytyrë të përzemërt. Siç e dini formulat e pershëndetjes janë konvencionale. Por njëkohësisht ato përshkruajnë relativisht saktë për veshin se ku gjendemi për momentin. Kush thotë «Grüezi» në të shumtën e rasteve nuk e mashtron tjetrin në kuptimin gjeografik. Në të vërtetë edhe formulat lokale të përshëndetjes i nënshtrohen globalizimeve të caktuara. Ciao, në Itali fillimisht një përshëndetje lamtumirëse, bazë e së cilës thuhet të jetë «schiavo» (skllav), në vendet fqinje përnjëherë është e përshtatshme edhe si përshëndetje kur takoni dikë. Ashtu si: Hai! Hoi! Salü! Servus! Tschüss! – takim apo ndarje: këto fjalë sot përzihen gjithandej. Tashmë askujt nuk i shkon mendja se bëhet fjalë për një gjest nënshtrues nëse ndaheni nga dikush me fjalën Ciao apo Servus. Është pothuaj çështje e stilit personal se cilën formulë e përvetësoni.

Në perceptimin tim, veçanërisht zvicerane është kur mua dikush më përshëndet me «Allegra!» Kjo nuk ndodh në të vërtetë në mbarë Zvicrën, por kudo që e dëgjoj me kaplon një ndjenjë e bukur e vendlindjes. Kjo fjalë në fakt përdoret vetëm në Engadin dhe në disa lugina fqinje dhe atë në periudhën kohore kur mbaron mëngjesi dhe kur ende nuk ka rënë muzgu. Si shumica e formulave të përshëndetjes edhe kjo e ka origjinën në përulësinë ndaj «krijesave në pozitë më të lartë». Këtu hyn madje personalisht edhe vetë i lumi zot. Fillimisht formula tingëllonte kështu: «Dieu t’allegra!» – zoti të gëzoftë! Ndërkohë zoti është tërhequr nga imagjinata e atyre që përshëndesin njëri-tjetrin dhe ka përfunduar diku ku nuk perceptohet më. Por ka mbetur njoftimi i bukur se takimin e rastësishëm me një bashkëkohës e përjeton si gëzim dhe ndoshta me një pritje të caktuar se edhe tjetri ndihet ashtu.

Për këtë përshëndetje karakteristike është qëndrimi bazik demokratik që përmban në vetvete. Kush thotë Allegra, s’ka të bëjë me padronin dhe shërbëtorin, me nënshtrim dhe nderim të veçantë. Në fjalorin e retoromanishtes së kantonit Graubünden për këtë përshëndetje thuhet: «Shkëmbehet kryesisht mes personave të rangut të njëjtë». Nëse edhe i lumi zot është tërhequr në mënyrë elegante nga rituali i pikëpjekjes i malësorëve, atëherë nuk duhet dyshuar në cilësinë demokratike të përshëndetjes!

Për mua në këtë përshëndetje del në dritë edhe diçka tjetër edhe më e rëndësishme. Shumica prej nesh e njohin këtë fjalë nga gjuha muzikore. Me një «Allegro» fillojnë shumë pjesë muzikore dhe shumë përfundojnë me të. Kjo nuk domethënë thjesht «shpejt». Më shumë mendohet në një qëndrim të caktuar të ecjes përpara. Kjo mund të ketë këtë kuptim: i prekur, i gëzuar, i hareshëm, i qeshur, i pamerakosur, i lumtur duke ecur përpara. Një muzikant bën dallime të mëdha mes një Allegro sostenuto dhe një Allegro appassionato apo një frenetico. Pa marrë parasysh se sa furishëm bën hapa përpara, ngutshëm dhe me pasion apo qetësisht dhe i lumtur me plot vrull, diçka nuk guxon të mungojë kurrë me atë rast. Është gëzimi për lëvizjen nga vendi, tani i ka ardhur radha ecjes përpara, nisjes, pritjeve, caqeve të reja. Një Allegro pa këtë dimension në hapësirë dhe atë që synohet nuk do të ishte e vërtetë. Çdo Allegro duhet të rrezatojë një gjurmë të pritjes me gëzim ndaj udhës që duhet përballuar. Ndryshe diçka nuk është në rregull.

Zvicra është një vend i bukur, i karakterizuar nga shumë kushte të favorshme jetësore. Zviceranët dhe zviceranet konsiderohen si natyra të rezervuara, serioze, të qeta dhe të druajtura. Lumturia e tyre assesi nuk mund të lexohet në fytyrat e tyre në çdo vend dhe në çdo orë të ditës. Tani takon dikë, i cili thotë: «Allegra!» Me këtë ai thotë: ti i ke të gjitha arsyet të gëzohesh! Të jesh i lumtur! Ta kesh lehtë! Ec përpara i kënaqur dhe plot dëshirë! Përqafoje jetën! Freskohu! Vazhdo me disponim të mirë! Që të ndihesh mirë!

Çfarë përshëndetje e bukur! Për keqardhje që shumë pak bashkëkombës kuptojnë gjuhën retoromane!

Mirë se vini! Allegra!

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).