«Alepo ishte e mrekullueshme»

Qyteti që në antikitet përbënte një qendër tregtare dhe kulturore. Dhe, erdhi lufta qytetare. Një homazh nga Frankfurter Allgemeine Zeitung për Alepon».

Zogj mbi Alepo! Foto: Dima Moroz.

Duke u nisur nga rëndësia ekonomike që ka Alepo, nuk habit fakti që aty po zhvillohen luftime të ashpra. Ajo llogaritet si qendra më e rëndësishme ekonomike e tërë rajonit. Zotërimi i këtij qyteti është i domosdoshëm për regjimin nëse dëshiron të qëndrojë në pushtet. E njëjta vlen edhe për opozitën: nëse dëshiron ta rrëzojë Asadin, duhet ta marrë Alepon. Momentalisht rebelët që po luftojnë për qytetin, kryesisht islamistë, janë në disavantazh me Hezbollahun, i cili lufton në anën e regjimit të Asadit. Kurse për popullatën kjo është pak e rëndësishme – ata thjesht duan një pushim të luftimeve.

Nuk mund ta thotë askush se sa banorë ka tani ish qyteti 2,5-milionësh. Ajo që shihet është vetëm shkatërrimi nga bombardimet. Dhe avionë në këtë konflikt kanë vetëm regjimi i Asadit dhe rusët. Në këtë vorbull janë shkatërruar monumente të pazëvendësueshme kulturore. Askush nuk mund ta imagjinojë se çfarë shumash kap rindërtimi i këtij qyteti magjepsës, «nëse ndonjëherë do të sundojë paqa».

Sundimi i ISIS-it në qytetin Palmyra kishte shkatërruar monumente të pazëvendësueshme kulturore nga koha e mbretëreshës arabe Zainab dhe romakëve. Kurse në Alepo janë prishur kryesisht monumente të kulturës islame, për restaurimin e të cilave para ca kohë janë investuar shuma të mëdha. Përmasat e shkatërrimit në Alepo mund të të zgjojnë vetëm zi dhe zemërim. «Sirianët dhe ndihmësit që kanë – me qytetet po e shkatërrojnë edhe historinë e tyre».

Qyteti, i cili në tekste të vjetra njihet si Halap, është njëri ndër vendbanimet më të vjetra të Orientit. Siria me shtrirjen e saj gjeografike njihet si «gjysmëhëna pjellore». Ajo vlen si djepi i kulturave qytetare të Orientit. Që 2000 vjet para erës sonë, Alepo shtrihej në një aks të përshtatshëm, që përfitonte ekonomikisht nga jugu dhe veriu. Nga Alepo mund të sundohej e gjithë Siria veriore. Në historinë e tij të gjatë, qyteti njeh vetëm disa shekuj «të verbër», përpara se të lulëzonte përsëri nga helenët dhe romakët. Përpara periudhës islame, qytetin e kishin pasur në dorë edhe bizantinët.

Kulminacionin e tij Alepo e kishte përjetuar përpara 1000 viteve, nën dinastinë e Hamdanidëve, kur kishte statusin e qendrës së Emirateve. Kjo periudhë, 945 deri 967, nuk mbahet mend vetëm për ndërtimin zemërgjërë të qytetit, por edhe për luftën e myslimanëve kundër bizaninëve. Princi Saif ad-Daula ka qenë karakterizuar nga disa cilësi të cilat në Perëndim janë etabluar shekuj më vonë. Ai kishte krijuar një «oborr muzash». Për një kohë Alepo ia kishte kaluar me shkëlqimin kulturor edhe Bagdadit. Aty kishte krijuar al Mutanabbi, vepra e shquar e të cilit i lavdëron virtytet e burrërisë dhe kalorësisë arabe. Këtë shoqëri e frekuentonin edhe poetë të tjerë të njohur dhe filozofë, si al-Farabi, i cili kishte lënë trashëgim një një model botëror kosmologjik-metafizik. Në oborrin e sundimtarit mbretëronte liria e mendimit.

Saif ad-Daula ishte bërë shiit për arsye taktike politike. Ata sundonin edhe në Bagdad dhe në Kajro. Konflikti për qytetin e Alepos, sikurse edhe ai i Sirisë, nuk mund të kuptohet nëse i abstragon kontradiktat ndërmjet sunitëve dhe shiitëve. Momemntalisht kundër njëri-tjetrit luftojnë alevitët shiitë që e përmbajnë regjimin e Asadit dhe sunitët, të cilët e përbëjnë shumicën e popullatës.

Alepo pas vitit 1100 u bë qendra e rezistencës kundër kryqzatave të krishtera, të cilët kishin krijuar shtete të vogla në të gjithë rajonin bregdetar, deri në Urfan e sotme në Turqi. Një kohë në qytet sunduan mamelukët e Egjiptit, pastaj atij i ranë mongolët nga Lindja, të cilët shkatërruan pjesë të tëra të tij. Në fund, nga viti 1400, erdhi Timur Lenk, një sundimtar nga Azia qëndrore. Alepo mezi e mori veten nga këto shkatërrime

Një erë e re për qytetin kishte filluar me sundimin e sulltanit Selim Yavuz në vitet 1516/17 në Siri dhe Egjipt, duke ia bashkangjitur këto Perandorisë Osmane. Për këtë periudhë ka vlerësime të ndryshme. Fakti që sundimtari i ri ishte mysliman, sikurse edhe banorët lokalë, në thelb nuk kishte bërë ndonjë ndryshim. Gjithsesi kjo periudhë njihet si kohë e një qetësie relative. Deri sa u zgjua nacionalizmi arab për t’u çliruar nga sundimi turk. Dhe, Alepo në këto përpjekje ka qenë një qendër e këtyre ideve revolucionare. Një rol të rëndësishëm këtu kanë luajtur edhe konsullatat e fuqive perëndimore. Qyteti multietnik dhe kulturor para Luftës së parë Botërore ishte bërë një qendër e diplomatëve, agjentëve dhe arkeologëve të huaj. Në fund të Luftës së Parë Botërore Alepo u përfshi në krizën e shthurjes së Perandorësë Osmane. Armata e Katërt Turke e thyer ishte futur nga Palestina në Sirinë veriore. Kishte qenë mu Mustafa Kemal Pasha, më vonë Ataturk, i cili ishte kujdesur që trupa në shpërbërje të arrinte në Alepo dhe pastaj në mënyrë të rregullt të tërhiqej në territorin anatol.

Alepo kishte qenë që atëherë një kalaidoskop popujsh orientalë: arabë, kurdë, armenë, çerkezë, myslimanë, të krishterë… Dhe, është mu kjo klimë e hapur që ka kontribuuar në lulëzimin e Sirisë, kur më 1946 vendi u pavarësua nga Franca. Hsotoria e re e Alepos konsiderohet një histori suksesi, këtë nuk ka mundur ta ndryshojë as regjimi i Asadit. Alepo dhe rrethina nuk përbënin vetëm hapësirën më të rëndësishme të vendit, ajo kishte edhe një zhvillim bujqësor. Shrirja e përshtatshme rrugore kishte ngelur. Nga aty ka vetëm 90 kilometra për në Turqi. Për gjatë kohë ka funksionuar pa asnjë problem tregtia me fqinjët jugorë dhe lindorë arabë. «Të gjithë këtë, lidhjet e përshtatshme me botën e jashtme, një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore dhe mirëqenien e alepasve e kanë sjkatërruar qentë e luftës.»