Aleatët e rrejshëm të paradës

Atë që e garanton Kushtetuta, është e paprekshme për të gjithë. Rrjedhimisht, çdo diskriminim i komuniteteve të margjinalizuara dhe me preferenca të tjera intime nga shumica, duhet të luftohet. Por, beteja për tolerancë nuk fitohet me aleatë të rrejshëm.

Foto: Shutterstock



Qindra njerëz marshuan të martën në sheshin kryesor të Prishtinës në mbrojtje të një të drejte elementare kushtetuese: të drejtën që secili të vendosë vetë se çfarë lloji dashurie dëshiron të praktikojë. Ligji themelor i Kosovës ndalon diskriminimin e çdo qytetari për shkak të etnisë, orientimit seksual, fesë, racës etj. Si qytetarë duhet ta çmojmë shumë këtë pjesë të kushtetutës së Republikës – ashtu siç e çmojnë gjermanët nenin e Kushtetutës së tyre, i cili thotë se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm. Atë që e garanton Kushtetuta, është e shenjtë për të gjithë, e paprekshme. Rrjedhimisht, çdo diskriminim i komuniteteve të margjinalizuara dhe me preferenca të tjera intime nga shumica, duhet të luftohet.

Të martën aktivistë të komunitetit LGBTI, mbështetës të tyre, politikanë, veprimtarë të asaj që quhet shoqëri civile marshuan për tolerancë dhe në emër të dashurisë. Në mediat virtuale, aty ku lajmet mund të fryhen si flluska, u krijua përshtypja se Kosova sot e dha një test tepër të rëndësishëm të pjekurisë dhe plotësoi – si të thuash – një kusht për anëtarësim në Bashkimin Europian. Mirë do të ishte – po të ishte kështu. Në realitet përveç disa mesazheve të shpërndara në Twitter (edhe nga Dua Lipa, faleminderit!) e ashtuquajtura paradë e krenarisë nuk e ndryshon aq gjendjen në Kosovë.

Për disa arsye.

E para: toleranca e demonstruar ndaj pakicave si LGBTI nuk buron nga disponimi i përgjithshëm shoqëror, madje as në Prishtinë si qendër më urbane e Kosovës. Kjo nuk duhet të na shqetësojë pa masë, sepse është proces. Mirë është që ka filluar ky proces i ushtrimit të tolerancës, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo vetëm për një komunitet të caktuar. Edhe në shoqëritë perëndimore ka debate të ashpra mbi të drejtat e komunitetit homoseksual. Legalizimi i martesave të tyre dhe garantimi i të drejtës për adoptim të fëmijëve – për shembull – ende ngjallin polemika mes politikanëve liberalë dhe konservatorë. Kur sivjet në parlamentin gjerman u legalizuan martesat mes personave të gjinisë së njëjtë, kancelarja Angela Merkel votoi kundër. Njëjtë votuan edhe shumë deputetë konservatorë. Ata nuk kanë absolutisht asgjë kundër homoseksualëve, por e mbrojnë institucionin e bashkëshortësisë, sepse, siç thotë neni 6 i Kushtetutës gjermane, «martesa dhe familja gjenden nën mbrojtjen e veçantë të rendit shtetëror».

E dyta: përkundër shqetësimeve të kuptueshme të disa organizatave që janë të fokusuara në mbrojtjen e homoseksualëve, në Kosovë, fatmirësisht, nuk ka grupe të organizuara, të cilat ushtrojnë dhunë apo bëjnë thirrje për dhunë ndaj homoseksualëve. Ka, si në çdo vend, hajvanë që shfrytëzojë mediat sociale për kërcënime, por të tillët më mirë të injorohen se sa t’u bëhet reklamë duke ua shpërndarë «mesazhet kërcënuese» në Facebook dhe Twitter.

E treta: për dallim nga Serbia, ku organizata të ekstremit të djathtë dhe elementë të Kishës Ortodokse hapur kërcënojnë homoseksualët, në Kosovë para të ashtuquajturës paradë e krenarisë Bashkësia Islame qëndroi indiferente. Kjo nuk është e vetëkuptueshme. Edhe dinjitarë të Kishës Katolike, duke u mbështetur edhe në shembullin e Papa Françeskut, deklaruan se nuk i takon atyre të përzihen nëse është e drejtë apo e padrejtë një mënyrë e tillë e marshimit siç u organizua të martën në Prishtinë. Që ka injorantë në mesin e imamëve, të cilët mallkojnë homoseksualët, kjo nuk duhet të befasojë askënd. Ka ipeshkëv në Zvicrën tejet tolerante, të cilët citojnë Biblën: «Po fjeti një burrë me një burrë tjetër ashtu siç flihet me një grua, atëherë ata kanë bërë krim. Të dytë dënohen me vdekje». Natyrisht edhe në Zvicër ka protesta kundër këtyre deklaratave dhe shteti është ashtu i organizuar, saqë homoseksualëve nuk u kërcënohet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë. Zürichu konsiderohet si ndër qendrat me të preferuara të homoseksualëve, madje edhe me ndeja të ballkanasve.

Në mesin e grupeve të interesit (dhe të tilla janë edhe OJQ-të që merren me të drejtat e komunitetit LGBTI) ka një tendencë që të stigmatizohen të gjithë ata që nuk i duartrokasin orientimit të tyre seksual, duke i përshkruar si të prapambetur, «old style» etj. Por, kancelarja Merkel, ta zëmë, nuk mund të konsiderohet e tillë pasi ka pasur disa vite në kabinet një ministër të Jashtëm me orientim homoseksual. Përpjekja e disa homoseksualëve që pa i pyetur kush të theksojnë se orientimi i tyre intim na qenkësh më fisnik dhe më modern, nuk i ndihmon betejës së tyre për barazi shoqërore. Po aq sa është e drejtë e tyre të jenë krenarë me ndjesitë e tyre intime, po aq mund të jenë krenarë me orientimin e tyre seksual edhe heteroseksualët. Në përgjithësi theksimi i krenarisë në kontekst të orientimit seksual duket një anakronizëm. Në çdo studim serioz theksohet se rreziku nga HIV është dukshëm më i lartë te burrat homoseksualë. Ky është fakt, nuk është polemikë mbi të drejtën e garantuar të secilit të dojë si të ketë qejf dhe kë të ketë qejf.

E katërta: komuniteti i LGBTI në Kosovë duhet të ketë kujdes të mos futet nën jorgan me aleatët e rrejshëm, të cilët për interesa të tyre shtiren sikur përkrahin të drejtat e homoseksualëve. Në paradën e sotme në Prishtinë u shfaqën politikanë e politikane që janë përmendur në kontekst të aferave të korrupsionit, keqpërdorimit të pushtetit, mosmbrojtjes së interesave shtetërore etj. Këta të jenë mbrojtës të të drejtave të një pakice të margjinalizuar? Assesi. Parada kësaj strukture të politikanëve u shërben vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga njollat në biografitë e tyre politike. Si mund t’i mbrojnë të drejtat e një pakice seksuale ata që nuk ngurrojnë të shkelin të drejtat e tjera të njeriut në mënyrë të vazhdueshme?

Sa i përket përkrahjes që vjen nga ana e diplomatëve për komunitetin LGBTI: ajo gjithsesi është e mirëseardhur, por shoqëria kosovare do të gëzohej nëse këta diplomatë t’i shihte duke dalë në rrugë edhe në betejat kundër korrupsionit, keqqeverisjes, kërcënimit të gazetarëve… Ndërsa disa të drejta i mbrojnë me këmbëngulje dhe për të tjerat heshtin, atëherë edhe diplomatët janë vetëm aleatë të pasinqertë të komunitetit LGBTI.

Për një numër aktivistësh të shoqërisë civile, të cilët krejt aktivitetin e tyre e kanë reduktuar në vardisje ndaj pushtetit dhe donatorëve ndërkombëtarë, ndërsa heshtin ndaj shumë të këqijave shoqërore, pjesëmarrja në paradë është një rast i mirë për t’u shfaqur si tolerantë, europiane, të kulturuar, të civilizuar etj. Bash ashtu si ata djemtë dhe vajzat nga spoti «europianët e rinj», i cili Kosovës i kushtoi një dreq e gjysmë, por nuk i solli asgjë. Edhe parada e sotme: mirë që u mbajt, por të mos priten mrekulli prej saj, sepse në mesin e shumë akterëve të sinqertë ka edhe plot protagonistë të rrejshëm.