Alarmohet qeveria në Berlin: dyshohet se hakerët nga Rusia sulmuan partitë gjermane

EKSKLUZIVE - Politikanë gjermanë të nivelit të lartë kanë marrë emaila me një softuer spiunazhi. Pas sulmit supozohet se qëndrojnë hakerët rusë. Supozohet se qëllimi i sulmeve digjitale është manipulimi i opinionit publik dhe zgjedhjeve në Gjermani në vitin e ardhshëm.

Foto: Shutterstock

Mediumet gjermane kanë njoftuar të martën në mbrëmje se partitë gjermane gjatë verës kanë qenë cak i një sulmi hakerësh. Ekspertë të sigurisë të Qeverisë gjermane kanë deklaruar se po e marrin shumë seriozisht këtë rast dhe kanë shprehur shqetësimin se një «fuqi e huaj» ka tentuar të spiunojë partitë politike në Berlin. Qëllimi i këtyre aktiviteteve, sipas ekspertëve, është ndikimi në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, të cilat mbahen vitin e ardhshëm.

Gazeta «Süddeutsche Zeitung» dhe televizionet NDR dhe WDR njoftuan se më 15 dhe më 24 gusht politikanë dhe bashkëpunëtorë të disa partive politike morën emaila, të cilët gjoja vinin nga selia e NATO-s. Në emaila gjendej një link përmes të cilit softueri i spiunazhit mund të depërtonte në kompjuterët përkatës. Emailat ishin dërguar nga njëfarë Heinrich Krammer, me adresën «hq.nato.int» dhe ofronin informacione mbi tërmetin në Itali apo puçin ushtarak në Turqi. Por, linku i dërguar çonte te një server, i cili instalonte softuer spiunazhi në kompjuterin e marrësit të emailit.

Sulmi i hakerëve i kishte rënë në sy NATO-s dhe shërbimit sekret gjerman, të cilat njoftuan Qendrën Kombëtare të Mbrojtjes nga Sulmet Digjitale, shefi i së cilës më 9 shtator personalisht i njoftoi grupet parlamentare në Bundestag (parlamentin gjerman). Bundestagu ka qenë cak i një sulmi hakerësh në vitin 2015. Atëbotë, siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», ishin dërguar emaila që dukeshin se kishin dërguar nga OKB dhe ku ofroheshin informata mbi gjendjen në Ukrainë. Hakerët kishin arritur të «kapin» fjalëkalimet e administratorëve dhe të kenë qasje në rrjetin e parlamentit. Eksperët kanë supozuar se shkaktarët e sulmit rrjedhin nga Rusia. Edhe sulmi më i ri në gusht kundër partive gjermane supozohet se vjen nga hakerët rusë. Ata dyshohet se i përkasin grupit «apt28» dhe «Sofacy Group» dhe dyshohet se veprojnë me urdhër të shtetit rus.

Autoritetet gjermane supozojnë se qëllimi i sulmit nga hakerët rusë është manipulimi i opinionit publik para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në vjeshtë të vitit 2017. Një skenar i ngjashëm është zhvilluar edhe në SHBA, ku janë sulmuar serverë të Partisë Demokratike.