Alarm i rrejshëm nga Izraeli për një luftë në «Kosovën myslimane»

Një faqe interneti e qarqeve radikale djathtiste të Izraelit paralajmëron luftë - mes «Serbisë së krishterë edhe Kosovës myslimane». Ekspertë perëndimorë e quajnë portalin «Debka» «absolutisht joserioz». Për këtë arsye mediat perëndimore nuk e citojnë fare këtë kooperativë propagandistike.

Treni i propagandës para se të nisej nga Beograd për në Rashkë.



Java në Kosovë ka filluar me një alarm nga Izraeli. Disa portale kanë përhapur një «analizë» të «Debka file», e cila na qenkësh «uebsajti i inteligjencës ushtarake në Izrael». Ky portal njofton se «Kosova myslimane» gjendet para një sulmi nga «Serbia e krishterë», e cila do të provojë sërish të fusë trenin provokativ në Kosovë: «Dy ushtri janë gati për betejë; 60 mijë trupa serbe dhe vetëm rreth 6 mijë trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë në këtë numër edhe rezervat». Kjo do të jetë, sipas Debka, sfida e parë për presidentin e ri amerikan Donald Trump, paraardhësit e të cilit – Bill Clintoni dhe Barack Obama – kanë përkrahur «vendet myslimane», Bosnjën dhe Kosovën. E sulmuar nga Serbia «Kosova do të kërkojë ndihmë për këtë ndërhyrje, por në vitin 2017 ky vend le ta harrojë mbështetjen nga ndonjë vend europian, madje as nga Gjermania».

Përgjegjësinë për përhapjen jokritike të lajmeve të kësaj dore duhet ta marrë çdo redaktor që në këtë situatë të elektrizuar dhe të pasigurt në Ballkan nuk bën as një hap për të hulumtuar se kush na qenkësh kjo organizatë lajmesh nga Izraeli që po paralajmëron luftë të re në rajon. Së pari «Debka files» nuk është webfaqe e inteligjencës ushtarake në Izrael. Bëhet fjalë për një portal privat të qarqeve radikale djathtiste të Izraelit, të cilat shquhen për retorikë antimyslimane për shkak të konfliktit me palestinezët.

Për shkak të joseriozitetit «Debka» nuk citohet nga mediat perëndimore. Në arkivin e mediave zvicerane SMD, ku ruhen edhe shumë tekste të shtypit gjerman, «Debka» citohet njëherë. Më 16 mars 2004 një gazeta rajonale zvicerane raportonte nga Roma se «Debka» ka paralajmëruar se «Italia mund të goditet para Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, sepse fundamentalistët myslimanë e shohin Romën për shkak të Vatikanit dhe Papës si qendër botërore të heretikëve». Fatmirësisht Italia deri më sot nuk është goditur nga terroristët islamikë, kjo mund të jetë ndoshta rastësi, por gjithsesi edhe dëshmi sa serioze janë analizat e «Debka».

Të hënën «dialogplus» ka pyetur një gazetare zvicerane, e cila mbi 40 vjet ka komentuar dhe analizuar konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, mbi portalin «Debka». Përgjigjja e saj është e qartë: «Larg duart nga kjo webfaqe. Neokonservatorë izraelitë, djathtistë». Një korrespondent i një gazete të madhe gjermane, i cili qe gati një dekadë raporton nga Izraeli dhe më parë ka shkruar për luftën në Bosnjë dhe Kosovë, dha këtë përgjigje: «S’kam dëgjuar kurrë për këtë webfaqe. Duket se ka nisur një garë për luftën e parë të Trumpit. Në këtë garë po konkurrojnë edhe këta lindjeafërmit e mi».

Mënyra se si e «analizon» portali izraelit historinë e konflikteve në Ballkan është skandaloze. Luftërat reduktohen në përleshje fetare: këtu të krishterët e mirë, atje myslimanët e rrezikshëm. Mes shqiptarëve dhe serbëve, për shembull, nuk është zhvilluar luftë fetare. Konflikti ka shpërthyer pas shtypjes shumëvjeçare që Serbia i ka bërë popullsisë shumicë në Kosovë, duke ia shkelur të gjitha të drejtat njerëzore dhe kombëtare. Kjo fushatë e Serbisë kulmoi me vrasjen e mbi 10 mijë civilëve në Kosovë, djegien dhe shkatërrimin e mbi 100 mijë shtëpive, përndjekjen e gati një milion shqiptarëve nga Kosova. Ata që mbetën në Kosovë Serbia filloi t’i regjistrojë, duke ua dhënë nga një karton të gjelbër. Në vitet ’30 nazistët i detyronin hebrenjtë të bartnin Yllin e Davidit në gjoks si shenjë dalluese.