Akuza të pabaza, shpikje e shtetësisë së dyfishtë dhe kërkim falje: Federata e Futbollit të Zvicrës në pozicion jashtë loje

Pas sulmeve kundër futbollistëve me gjoja dy shtetësi, Federata e Futbollit e Zvicrës ka kërkuar falje. Po kjo federatë kishte njoftuar se Granit Xhaka ka shtetësi shqiptare – një e pavërtetë.

Granit Xhaka.



Rrallëherë ka ndodhur që një shoqatë sportive të duket krejtësisht qesharake para opinionit. Kështu është rasti me Federatën e Futbollit të Zvicrës. Pas dështimit aspak lavdiplotë në të teten e finales të Kupës Botërore kombëtarja e Zvicrës e futbollit u kritikua ashpër. Kritikat shpeshherë ishin të drejta: Zvicra nuk luajti fare mirë në ndeshjen kundër Suedisë, por pas kthimit të ekipit nga Rusia sekretari i përgjithshëm i Federatës Zvicerane të Futbollit ataktoi në një intervistë lojtarët me shtetësi të dyfishtë. Në opinion u krijua përshtypja se cak i sulmit ishin Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili. Të gjithë futbollistët me prejardhje shqiptare u shpallën si të dyshimtë për shkak se në gjoksin e tyre rrahin dy zemra – ajo e vendit ku janë rritur dhe e vendit ku kanë lindur ose nga e kanë origjinën prindërit.

Tani, sipas hulumtimeve të gazetës «SonntagsZeitung», rezulon se Xhaka nuk ka fare pasaportë të Shqipërisë, siç e kishte keqinformuar opinionin Federata e Futbollit e Zvicrës. Kjo federatë i referohet një ankete që paskësh bërë me disa futollistë para katër vitesh. Me gjasë që nga atëherë nuk janë rifreskuar të dhënat dhe me gjasë federata nuk e ka të qartë dallimin mes shtetësisë dhe nacionalitetit – Xhaka me origjinë etnike është shqiptar, por sipas një këshilltari të tij juridik ai ka vetëm pasaportë zvicerane. Që një federatë futbolli ia mvesh një futbollisti edhe një apo dy shtetësi të tjera – kjo është shenjë e diletantizmit të madh.

Duket se Federata e Futbollit e Zvicrës pas kritikave të shumta e ka vërejtur se ka bërë një gabim, madje një padrejtësi kundër futbollistëve me origjinë shqiptare. Pas kritikave të ashpra nga mediat dhe pas reagimit të qartë të Grnait Xhakës, i cili kërkoi që t’u jepet fund komenteve të Kohës së Gurit, presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Gilliéron, ka kërkuar falje për ndezjen e debatit mbi shtetësinë e dyshfitë. Gilliéron tha se Federata ndjen keqardhje për debatet e shkaktuara dhe u përpoq që krejt fajin për këtë t’ia hedhë sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Alex Miescher, i cili në një intervistë kishte shtruar pyetjen: «A na duhen lojtarë me shtetësi të dyfishtë?» Gilliéron e pranoi se shkak i intervistës së Miescher ishte gjesti me shqiponjë i Xhakës dhe Shaqirit – nga kjo u krijua te ai një shtytje e brendshme për të dhënë këtë intervistë.

«Me kërkimfaljen e vonshme, por të qartë për deklaratën e Miescher, Gilliéron ka dhënë një sinjal të parë. Por ky është vetëm një sinjal. Federata e Futbollit e Zvicrës në Rusi nuk ishte në nivel të detyrës. Sa i përket komunikimit ende shumë gjëra nuk janë si duhet», shkruan gazeta «NZZ am Sonntag» në një koment të dielën.