Akuza nga Gjermania dhe Austria: «Vlerësimi i qeverisë së Edi Ramës për hidrocentralin në lumin Vjosa është farsë»

Shkencëtarë gjermanë dhe austriakë akuzojnë rëndë qeverinë shqiptare. Sipas tyre Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis në lidhje me hidrocentralin e kompanive turke në lumin Vjosa nuk i plotëson kriteret minimale. Zyrtarët e Edi Ramës dyshohen edhe për kopjim të tekstit për të shkruar vlerësimin.

Nga një protestë e ambientalistëve shqiptarë kundër projekteve të Edi Ramës në lumin Vjosa.



Pak para Krishtlindjeve kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë një dhuratë të pakëndshme nga shkencëtarë të njohur gjermanë dhe austriakë për mbrojtjen e ambientit. Ekspertët analizuan Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të kryer nga qeveria shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në fshatin Poçem në lumin Vjosa në Shqipëri. Në vlerësimin e qeverisë së Edi Ramës theksohet se projekti nuk e dëmton ambientin. Por, sipas shkencëtarëve gjermanë dhe austriakë, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është «një farsë», sepse nuk i plotëson kriteret minimale dhe nuk mund të parashikojë fare pasojat që mund të ketë projekti i hidrocentralit për ambientin. Ekspertët gjermanë dhe austriakë i kanë shkruar kryeministrit të Shqipërisë në emër të organizatave për mbrojtjen e natyrës, «EuroNatur» dhe «Riverwatch». Një qëndrim të ngjashëm ndaj projektit kanë mbajtur edhe ekspertët e ambientit nga Universiteti i Tiranës.

Shkencëtarët gjermanë dhe austriakë kanë kritikuar qeverinë se nuk ka bërë kurrfarë analizash për florën dhe faunën dhe speciet e rralla: «60 për qind e tekstit është kopjuar nga dokumentet e tjera dhe pjesërisht i referohet fushave krejtësisht të tjera». Ekspertët theksojnë se nuk janë analizuar proceset hidrologjike, morfologjike dhe ekologjike, as nuk janë përshkruar pasojat e mundshme afatgjata të projektit.

Në letrën dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjikurit, dhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, shkencëtarët gjermanë dhe austriakë i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të hedh poshtë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe të angazhohet për një studim serioz dhe të harmonizuar me standardet e BE-së.

Pasojat e digës që parashihet të ndërtohet në lumin Vjosa në asnjë mënyrë nuk mund të analizohen me këtë vlerësim të qeverisë shqiptare, thonë ekspertët në emër të organizatave «EuroNatur» dhe «Riverwatch». «Efektet biologjike të digës janë trajtuar me 10 rreshta, pa përmendur asnjë lloj peshku. Ky tekst i grumbulluar nga copëzat e marra gjithandej nuk e meriton emrin Vlerësim i Ndikimit në Mjedis», deklaroi Martin Pusch nga Instituti Leibnitz i Ujërave dhe Peshkatarisë (IGB) në Berlin.

Gjuha e ekspertëve ndërkombëtarë është mjaft e ashpër. Analiza e qeverisë shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në Vjosë konsiderohet kuturu, madje një karikaturë e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Sipas ekspertëve Vjosa është një lumë me rëndësi ndërkombëtare, andaj çdo ndërhyrje në të kërkon respektimin e standardeve më të larta ligjore. «Jemi përherë të gatshëm t’i përkrahim ministritë shqiptare në realizimin e një Vlerësimi serioz të Ndikimit në Ambient», deklaroi profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.

Në një njoftim të «EuroNatur» dhe «Riverwatch» theksohet se Vjosa është lumi i fundit i madh dhe «i egër» në Europë – me përjashtim të Rusisë. Lumi rrjedh rreth 270 kilometra nga Greqia nëpër Shqipëri dhe derdhet në Adriatik. Qeveria e Edi Ramës po synon që në pjesën ekologjikisht më të çmuar të lumit të ndërtojë një hidrocentral. Tenderin për këtë projekt e kanë fituar dy kompani turke. (-lli)