Akuza e përfaqësuesve të bizneseve për servilitet ndaj qeverisë




Përfaqësuesit e bizneseve e kanë shndërruar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik arenë për larjen e hesapeve në mes të tyre.

 

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se nuk do të jetë servil ndaj qeverisë për t’i duartrokitur secilin vendim të qeverisë së Kosovë. Ai ka dhënë disa vërejtje për pakon e re fiskale dhe për udhëzimet administrative, raporton Koha Ditore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës e ka akuzuar AKB-në për plagjiaturë të një prezantimit që AKB-ja e ka bërë para KKZHE rreth akcizës në pijet joalkoolike. Ka thënë se këtë çështje e ka ngritur OEK-u dhe kanë marr përgjigje edhe nga ministri Hoti se do të gjenden modalitetet për heqjen e Akcizës. Këtë e ka konfirmuar ministri Hoti, i cili ka thënë se për të hequr akcizën duhet të gjetur burim tjetër të të hyrave për buxhetin pasi ka një kosto buxhetore prej 8 deri në 13 milionë euro.

E Arian Zeka, Kryetar i odës Ekonomike Amerikane ka thënë se qeveria është treguar servile ndaj bizneseve duke i inkorporuar shumicën e kërkesave të tyre në pakon e re fiskale.

Kurse, kritikave për pakon e re fiskale i janë kundërpërgjigjur ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Nahit Sharku. Hoti ka thënë se qeveria në pakon e re financiare i ka përfshirë të gjitha kërkesat e bizneseve. E Sharku ka thënë se për të dhënë kritika është mirë që të lexohen ligjet dhe udhëzimi Administrativë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka thënë se nuk do t’i lejojë përfaqësuesit e bizneseve të debatojnë në këtë nivel në mbledhjet e KKZZHE-së.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka qenë pjesëmarrës në takimet që PDK-ja i bënte me përfaqësuesit e bizneseve gjatë fushatës për zgjedhjen e 8 qershorit të vitit 2014. Kryetari i OEK-u ka shkuar në takimet edhe të partive të tjera në fushatën për zgjedhjet e vitit të kaluar. Kurse, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka nuk ka marr pjesë në takimet e partive para zgjedhjeve.