Aktorë, heronj dhe një shoumaster

Amerika dhe presidentët e saj. Detaje nga libri «Të kuptosh Amerikën» të historianit Ronald D. Gerste.




Në filmin «Back to the Future» shtrohet kjo pyetje: «Kush do të jetë president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1985?» Ronald Reagani, është përgjigjja. «Aktori? E kush do të jetë nënpresident? Jerry Lewis?» Lewis ishte një humorist amerikan, ai s’u bë kurrë president, por Ronald Reagani po. Në vitin 1955 të përfytyrosh një aktor si president të SHBA-ve nuk mund të merrej me mend. Më 1985 u bë realitet dhe normalitet. Më 1955 president ishte heroi i luftës, Dwight D. Eisenhower, më 1985 aktori Ronald Reagan. Madje Reagan u zgjodh me numrin më të madh të elektorëve: 49 shtete votuan për të, ndërsa kundërshtari i tij demokrat Walter Mondale fitoi vetëm dy shtete.

Atëbotë në Europë shumë njerëz, sidomos nga politika, u tronditën: një aktor në Shtëpinë e Bardhë! Ata nuk mund ta përfytyronin se ç’do të ngjante në nëntor të vitit 2016: në Shtëpinë e Bardhë do të hynte Donald Trumpi, një tregtar patundshmërish, i cili nuk kishte kurrfarë përvoje politike, madje s’mund të quhej as politikan.

Paraardhësit e tij në post kishin ose përvojë politike, ose ishin heronj të luftës. Bill Clinton dhe George W. Bush kanë qenë guvernatorë, Barack Obama senator, George Washingtoni, Ulysses S. Grant dhe Dwight D. Eisenhower para se të bëheshin presidentë qenë komandantë supremë në konflikte të mëdha. Te presidentë të tjerë komponenti ushtarak ka luajtur rol së paku të pjesshëm si te Andrew Jackson, Zachary Taylor, Theodore Roosevelt dhe John F. Kennedy.

Dikur në Amerikë s’mund të bëhej askush president nëse nuk ka shërbyer në ushtrinë e vendit. Por, Bill Clintoni, George W. Bushi dhe Donald Trumpi nuk kanë shërbyer në ushtri. Reagani ishte presidenti i parë i divorcuar. Në rastin e Trumpit më shumë se mungesa e përvojës politike, vëzhguesit i irritonte biografia e tij prej tregtari që disa herë kishte falimentuar dhe shoumasteri, producenti dhe aktori kryesor në serinë «The Appretince». Deklaratat paushalle dhe fyerjet e bëjnë atë politikan tejet të pazakonshëm. Gjatë fushatës elektorale ai i quajti meksikanët kriminelë dhe përdhunues, ai paralajmëroi se do t’i dëbojë 11 milionë njerëz që jetonin ilegalisht në SHBA dhe premtoi se do të ndërtojë një mur në kufi me Meksikën​. Pa imazhin e tij të biznesmenit, pa prirjen e tij për lidhje me gra të Europës Lindore, ai nuk do të ishte bërë aq i njohur.

Ndaj partnerëve në Europë dhe Azi Trump kishte një mesazh të qartë: duhet të jepni më shumë para për mbrojtje. Ndonëse Koreja e Jugut ka katër herë më shumë ushtarë se Gjermania. Megjithatë, e pamohueshme është se SHBA-të bartin barrën më të rëndë të harxhimeve të NATO-s (72 për qind). 27 shtetet e tjera të NATO-s mbulojnë vetëm 28 për qind të shpenzimeve të NATO-s. Vetëm katër shtete europiane tani për tani respektojnë marrëveshjen për të investuar dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në sferën e mbrojtjes: Mbretëria e Bashkuara, Greqia, Polonia dhe Estonia.

Mes presidentëve amerikanë dhe liderëve europianë ka një dallim esencial: ndërsa presidenti i SHBA-ve nuk mund të qeverisë më shumë se 8 vjet, në Gjermani dhe në Francë nuk ka kufizime për kancelarin respektivisht presidentin. Helmut Kohl dhe Angela Merkel së bashku kanë qenë në pushtet 32 vjet. (Merkel vazhdon të jetë kancelarë). Në një periudhë po aq të gjatë, mes viteve 1838 dhe 1870 SHBA-të patën 11 presidentë, ndërsa mes 1901 dhe 1933 në Shtëpinë e Bardhë hynë 8 presidentë. «Demokracia jeton nga ndryshimi», shkruan historiani gjerman Ronald D. Gerste në librin e tij të sapo botuar «Të kuptosh Amerikën».

Në këtë vepër Gerste prezanton disa Amerika, sepse një Amerikë nuk ekziston. Në njërën anë shihet gjiganti ushtarak, në anën tjetër një shtet me infrastrukturë të vjetër, në njërën anë shihet Amerika kreative, në anën tjetër amerikanët që ushqim shpirtëror kanë emisionet e sportit dhe pozave të motrave Kardashian. SHBA-të kanë mbijetuar dhe tejkaluar kriza të mëdha rreth viteve 1860, pas vitit 1929 dhe pas viteve ‘1960 dhe ‘1970 me luftën e Vietnamit, aferën Watergate dhe vrasjen e personaliteteve të mëdha si Martin Luther King, John F. dhe Robert Kennedy. Madje nga këto kriza SHBA-të kanë dalë edhe më të fuqishme. «Shumë europiane hedhin poshtë politikën dominuese të Amerikës ose së paku janë kritikë ndaj saj, por kanë një preferencë për filma amerikanë dhe modën e kohës së lirë, e pëlqejnë iPhonin (ndonëse të prodhuar në Kinë) dhe përdorin media amerikane si Twitter dhe Facebook, preferojnë më shumë Uberin se taksinë, nuk e duan Donald Trumpin dhe/ose Hillary Clintonin, por e çmojnë Michelle Obaman, Morgan Freemanin dhe Bruce Springsteen. (…) Deshëm, s’deshëm – SHBA-të përcaktojnë po ashtu ekzistencën tonë, fatin tonë. Dhe këtë e bëjnë në mënyrë vendimtare», shkruan Gerste në librin e tij tejet informativ. Detaje nga ky libër do të sjellim në ditët në vijim.