Aktivistët në Bosnje instalojnë përkujtimore në zonat e harruara të luftës

Katër aktivistë nga Bosnja-Hercegovina kanë bërë një fushatë jozyrtare për të vendosur tabela të përkohshme përkujtimore në zona ku njerëzit kanë vuajtur gjatë luftës, por ku nuk ka monumente të përhershme.

Cërkvina pranë Shamacit. Foto Aktivistët.



Amer Deliq, Dalimir Mishkoviq, Çedomir Glavas dhe Tamara Zërnoviq gjatë tre viteve të fundit, kanë vënë shenja përkujtimore në vendet  ku ndodhën vuajtje lufte prej veprimeve guerrilase në të gjithë Bosnje dhe Herzegovinën, në përpjekje për të dërguar mesazhin se çdo viktimë meriton respekt.

Aktivistët argumentojnë se në Ballkan memorializimi varet ende nga vullneti politik, ku njerëzit përkujtojnë viktimat e «veta», por jo ato të grupeve të tjera etnike, vuajtja e të cilëve injorohet, harrohet ose mohohet.

«Shënimi i vendeve të paidentifikuara të vuajtjes ka për qëllim të tregojë se ekzistojnë vende të tilla dhe në një farë mënyre të inkurajojë diskutimin për të kaluarën e luftës në komunitetet që kemi vizituar, por dhe më gjerë», tha Zërnoviq për BIRN.

Zërnoviq tha se shumë vende të tilla mbeten të pashënuara, sepse ata që kanë vuajtur gjatë luftës kanë qenë nga pakica etnike në zonat ku jetonin.

«Për këtë arsye shpesh nuk duan që të thuhet publikisht se ish-fqinjët ose disa njerëz të tjerë u arrestuan, u vranë, u torturuan ose u detyruan të punonin me forcë në ato zona, e jo më t’i ngrihet atyre monument përkujtimi», tha ajo.

Në disa vende, përpjekjet e shoqatave të viktimave për të instaluar një memorial janë bllokuar nga grupi etnik i shumicës që donin të mohonin se atje janë kryer krime lufte.

Përkujtimet e luftës kanë qenë prej kohësh një çështje e diskutueshme në ish-Jugosllavi, siç e ka theksuar dhe një investigim i BIRN-it në vitin 2013.

Ndonjëherë, shpjegoi Zërnoviq, problemi është se vendet ku njerëzit u arrestuan, torturuan dhe u vranë kanë qenë objekte publike, si shkollat.

«Gjatë luftës, shkolla, kopshte, qendra kulturore [komunale], stacione policore, hotele dhe kazerma u përdorën si objekte paraburgimi dhe me përfundimin e luftës këto objekte u kthyen në funksionin e tyre normal», tha ajo.

Kur pranohej nga shumica e grupit etnik në zonë, disa prej këtyre vendeve u shënuan si të rëndësisë së luftës, shtoi ajo.

«Kemi shembuj të ndërtesave komunale dhe shkollave me tabela përkujtimore», tha ajo.

Përkujtimet dhe përvjetorët e luftës gjithashtu përdoren shpesh për qëllime politike dhe «patriotike» në Ballkan.

Përvjetori i Operacionit Stuhia të Ushtrisë Kroate në vitin 1995 përkujtohet çdo vit si një triumf kombëtar nga autoritetet e Zagrebit, por është zi për autoritetet e Beogradit pasi shumë serbë u larguan ose u vranë, si rezultat i Stuhisë…

Qindra vende të pashënuara

Katër aktivistët e menduan fushatën «Vendeve të paidentifikuara të vuajtjes» në një trajnim në vitin 2014, organizuar nga Qendra për Veprim Jo të Dhunshëm në Sarajevë. Që atëherë ata kanë vendosur shenja në vendet e krimeve të luftës në Vishegrad, Bugojno, Haxhiqi, Zvornik, Kladusha, Cazin, Dërvar, Livno, Bërçko, Bratunac dhe shumë vende të tjera.

Sipas Zërnoviqit, ka ndoshta qindra vende të paidentifikuara të vuajtjeve në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe pothuajse asnjë zonë pa të paktën dy ose tre vende të cilat duhet të shënohen.

«Kur zgjedhim vendet dhe qytetet që vizitojmë, udhëhiqemi kryesisht nga njohuritë tona për ngjarjet në Bosnje gjatë luftës, me mesazhet që marrim nga qytetarët dhe nga thirrjet e shoqatave të viktimave që duan të bashkëpunojnë me ne dhe të na japin mbështetje për këtë aktivitet, si dhe vendimet përfundimtare të gjykatave përkatëse», shpjegoi ajo.

Kur ndërmarrin një aksion, katër aktivistët shënojnë shtatë deri në dhjetë vende në zonat që vizitojnë gjatë një periudhe katër-ditore.

Kur shënojnë një vend, ata vendosin një tabelë që gjithmonë ka të njëjtin tekst: «Vend i pa shënuar vuajtjeje. Në këtë vend, në luftën e fundit, njerëz iu nënshtruan akteve çnjerëzore. Duke mos lejuar që këto ngjarje të harrohen, ne shprehim solidaritet me të gjitha viktimat, që kjo të mos i ndodhë askujt tjetër».

Megjithatë, ata rrallë kthehen në vendet që kanë shënuar – për arsye sigurie, këmbënguli Zërnoviq.

«Shumë herë, kemi frikë të kthehemi në një vend të shënuar, sepse vendasit e shohin këtë lloj përballje me të kaluarën si rrezik për ta dhe patriotizmin e tyre», shpjegoi ajo.

Aktivistët janë kërcënuar në rrjetet sociale, shtoi ajo.

Nuk dihet se sa vende të tjera, ku njerëzit janë abuzuar gjatë luftërave të viteve 1990, mbetën të pashënuara.

Një prej tyre, sipas Zërnoviqit, është kampi i burgjeve të Stajiçevës në afërsi të qytetit jugor serb të Zrenjaninit – një nga pesë kampet e tilla në Serbi ku janë burgosur kryesisht kroatë.

Ish të burgosurit e kampit janë përpjekur disa herë të organizojnë një përkujtim në Stajiçevo në përvjetorin e fillimit të luftës, por janë penguar nga frika e dhunës së mundshme.

E pyetur nëse shoqëritë e Ballkanit do të jenë ndonjëherë të gatshme të pranojnë vuajtjen e «të tjerëve», Zërnoviq argumentoi se empatia mbetet një sfidë për narrativat nacionaliste.

«Do të vijnë ditë më të mira kur të kuptojmë se proceset e ballafaqimit me të kaluarën nuk janë kërcënim për komunitetet tona», përfundoi ajo.

(https://www.reporter.al/aktivistet-ne-bosnje-instalojne-perkujtimore-ne-zonat-e-harruara-te-luftes/)