Aktakuzë kundër një shqiptari që i dërgoi me postë një granatë gazetës «Bota Sot»

14 vite pasi redaksia e gazetës «Bota Sot» mori një pako me një granatë të prodhimit rus, autoritetet zvicerane kanë arrestuar një person dhe kanë ngritur aktakuzë kundër tij. Ai dyshohet të jetë i afërt me krerë të ish-UÇK-së.

Foto: Shutterstock



Më 27 shtator 2002 në një postë të një lagjeje të Zürichut u dërgua një pako, mbi të cilën ishte shkruar se dërgesa ishte «zyrtare dhe konfidenciale». Si dërgues ishte shënuar adresa e një dyqani të verës në Adliswil, një fshat afër Zürichut. Pakoja, siç shkruan gazeta «Tages Anzeiger», përmbante një shishe verë, por edhe diçka tepër të rrezikshme: një granatë të prodhimit rus me fuqi të madhe shpërthyese dhe të përgatitur për eksplodim. Kështu kishte njoftuar atëbotë gazeta «Bota Sot», të cilës pakoja i ishte dërguar në adresën e redaksisë në Zürich. Pakoja, fatmirësisht, ishte hapur nga njëra anë dhe kështu ishte evituar prekja e mekanizmit që do të kishte shkaktuar shpërthimin e granatës dhe eventualisht lëndimin apo vrasjen e një apo më shumë njerëzeve.

Ky rast mbeti i pasqaruar për 14 vjet. Por, tani Prokuroria Federale e Zvicrës ka akuzuar një person të dyshuar për dërgimin e granatës. Ai është arrestuar në janar të këtij viti dhe ndërkohë gjendet në paraburgim në Zürich. Një pjesë e veprave për të cilat ngarkohet i akuzuari mund të parashkruhen në shtator, andaj Prokuroria Federale e Zvicrës po ngutet që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt.

Kosovari, i cili, siç merret vesh nga njerëzit e afërt me rasin, ka jetuar në rrethinën e Zürichut, është akuzuar për përpjekje të shumëfishtë për vrasje. Mbi të rëndojnë edhe akuza të tjera: shkelje e ligjit të armëve dhe shkaktim i rrezikut me eksploziv dhe me qëllim kriminal.

Pakoja ishte dërguar në adresën e redaksisë së «Bota Sot» në Bahnhofstrasse, njëra prej rrugëve më të njohura të Zürichut. Xhevdet Marzekaj, botues i «Bota Sot», e kishte hapur pakon në Küsnacht, ku jetonte motra e tij. Ai ka thënë se pas hapjes së pakos i kishin rënë në sy disa kabllo dhe e kishte njoftuar policinë.

Prokuroria Federale e Zvicrës thekson se po të shpërthente granata, ajo du t’ua merrte jetën së paku 4 personave, të cilët u gjendën në terracën e banesës në Küsnacht. Në banesë gjendeshin edhe shtatë persona të tjerë. Sipas aktakuzës të gjithë këta do të pësonin «lëndime të lehta deri vdekjeprurëse».

Mbi të akuzuarin dhe rrethanat e arrestimit të tij autoritetet zvicerane nuk japin detaje. Mazrekaj është obliguar nga Prokuroria Federale që për këtë rast të heshtë. Pas pranimit të pakos në vitin 2002 Mazrekaj i kishte thënë gazetës «Tages Anzeiger»: «Dyshojmë në strukturat kriminale në Kosovë, të cilët janë bërë të pushtetshme pas luftës».

Atëbotë gazeta «Bota Sot» shquhej për një stil agresiv gazetaresk dhe kësisoj kishte krijuar shumë armiq, sidomos në mesin e atyre që konsideroheshin «krahu i luftës». Kjo gazetë kishte atakuar ashpër sidomos Hashim Thaçin e Xhavit Halitin, por edhe Ramush Haradinajn. Ata akuzoheshin se qëndronin pas sulmeve kundër rivalëve politikë dhe se në luftë – sidomos Thaçi dhe Haliti – më shumë interesoheshin për marrjen e pushtetit në Kosovë se sa për luftimin e pushtimit serb. Me këtë interpretim «Bota Sot» ngjalli zemërimin e shumë politikanëve, të cilët pas vitit 1999 i ndërruan uniformat e UÇK-së me kostume të shtrenjta. Thaçi sot është president i Kosovës, Haliti është zgjedhur deputet, Haradinaj synon të bëhet kryeministër. Që të tre në vitet ’90 pjesërisht kanë jetuar në Zvicër. I akuzuari për dërgimin e granatës supozohet të jetë i afërt me krerë të ish-UÇK-së.