Aksidente me të lënduar në Lipjan e Podujevë

Policia e Kosovës ka raportuar se ditën e djeshme, në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur dy aksidente automobilistike që për pasojë kanë lënë disa të lënduar.




Në rrugën «Bajram Gashi» në Lipjan raportohet se dje, derisa një i dyshuar ishte duke drejtuar veturën Mercedes, ka hyrë në tejkalim në mënyrë të pasigurt me ç’rast ka goditur veturën Nisan.

Si pasojë e aksidentit, Policia bën me dije se lëndime trupore kanë pësuar dy meshkuj në veturën Nisan dhe tre pasagjerë në veturën Mercedes, dy meshkuj dhe një femër, që të gjithë të përkatësisë etnike shqiptarë, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor, raporton Koha.net.

Po ashtu, ditën e djeshme në fshatin Syleviq të komunës së Podujevës, raportohet se i dyshuari mashkull, derisa ishte duke drejtuar një traktor pa targa, nga pakujdesia shkakton aksident trafiku me ç’rast lëndime trupore pësojnë vozitësi dhe dy pasagjerë.

Viktimat janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.