AKP vazhdon të mbetet pa bord, pavarësisht premtimeve të Qeverisë

Premtimet e dhëna nga zyra e kryeministrit se do të përfundojnë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë mbetur vetëm premtime, raporton KTV.




Kjo agjenci vazhdon të mbetet e bllokuar pa bord.

Kohavisioni ka kërkuar nga e premtja e javës së shkuar një përgjigje nga zyra e kryeministrit Mustafa në lidhje me atë se kur do të përzgjidhen emrat e Bordit të AKP-së, mirëpo përpos premtimeve, kjo zyre nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se mungesa e bordit ka lënë një numër të madh vendimesh që duhen marrë.

Nga mungesa e bordit është duke humbur para edhe Qeveria, të cilës do t’i transferohen automatikisht rreth 60 milionë euro nga fondi i AKP-së.

Në të njëjtën kohë, për shkak të kësaj neglizhence, edhe ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave, që të hënën kanë shënuar ditën e 483-të të qëndrimit në këtë tendë, nuk dihet edhe deri kur do të vazhdojnë.

Kohë më parë, zyrtarë të qeverisë kanë thënë se janë duke hasur në probleme me emërimin e këtij bordi, pasi që asnjë nga konkurrentët nuk është i gatshëm të jetë në krye të tij. Të gjithë frikësohen se mund të përballen me drejtësinë, për shkak të hetimeve që po zhvillohen në lidhje me disa privatizime të dyshimta të bëra viteve të mëhershme, transmeton Koha.net.

Mirëpo, këtyre deklarimeve nuk po u besojnë shoqëria civile dhe partitë politike opozitare, të cilat kanë akuzuar dy partitë në pushtet se për shkak të mosarritjes së konsensusit në ndarjen e posteve nëpër këto borde, kanë vonuar tej mase emërimin e njërës nga agjencitë që ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.