AKP-ja ende pa bord, Qeveria pa koment

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nga fillimi i këtij viti ka mbetur pa bord. Në mungesë të tij, AKP-ja është paralizuar për shumë çështje të cilat lidhen me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e që nuk mund të procedohen. Mungesa e bordit ndikon edhe në shpërndarjen e listave të reja të 20 përqindëshit për punëtorët në pritje.




Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Kuvendi i Kosovës emëron anëtarët e bordit në AKP. Tani më bllokimin e punimeve në Kuvendin e Kosovës po duket se mungesa e bordit do të vazhdojë edhe për një kohë
Në anën tjetër, as anëtarët e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, nuk kanë marrë listë me emra të anëtarëve të mundshëm për bord të AKP-së. Blerim Grainca, anëtar i këtij komisioni tha kjo çështje është shqetësuese edhe për deputetët e komisionit.

«Bordet e ndërmarrjeve publike janë në procedurë dhe se janë kompletuar, por presim që qeveria të sjellë emrat. Nuk mund të ju them më shumë se çështja është e drejtë ekskluzive e qeverisë. Neve po presim që kjo të procedohet nga Qeveria dhe sa më shpejtë të kompletohet bordi. Unë po shpresojë që AKP do të kompletohet shpejtë. Jemi në pritje», tha Grainca.

Në ndërkohë, ish-anëtari i bordit të AKP-së, Haxhi Arifi i cili në bordin e AKP-së përfaqëson ish-punonjësit e ndërmarrjeve shoqërore tha se Qeveria duhet të ndryshoj ligjin e AKP-së, në mënyrë që të emërohen anëtarët. Ligji aktual thotë se duhet të emërohen 8 anëtar të bordit, 3 prej tyre duhet të jenë ndërkombëtar dhe pikërisht kjo çështje duhet të rregullohet me ligj, të ndryshojë, në mënyrë që të emërohen 8 anëtar vendor të bordit, tha Haxhiu.

«Sigurisht që tani ka me pasur edhe ndryshim të ligjit të AKP-së sepse tani mund të ndryshoj ligji në disa nene. Aty duhet të parashihet që bordi të jetë me 8 anëtar vendor. Pritet që sigurisht qeveria në këtë drejtim të propozoj, dhe qeveria është duke punuar dhe po konsulton edhe AKP-në. Që bordi të formohet ajo është kompetencë e Qeverisë», tha Arifi.

Ai ka vlerësuar si bllokadë edhe mungesën e bordit të AKP-së.

«Ka shumë ndërmarrje, meqë nuk ka bord, që është dashur ta marrin këtë 20 përqindësh, por pa kaluar përmes bordit pa u aprovua në bord ato nuk mund të shpërndahen. Ky është një hendikep për punëtorët të cilët e presin këtë 20 përqindësh që një kohë të gjatë», tha Arifi.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, ka thënë se mungesa e bordit ka lënë shumë punë pezull. Sipas tij, janë listat e reja të punëtorëve për shpërndarjen e 20 për qindëshit, mandej edhe shitjet dhe ndarja e mjeteve për buxhetin e Kosovës që nuk mund të bëhet pa miratim të bordit të AKP-së.

Kaloshi nxori në pah edhe një problem tjetër, që Agjencia ka janë vendimet e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme, të cilët i neglizhojnë vendimet dhe si pasojë janë 29 milionë euro mjetet që janë të kaluara nga bordi por që presin aprovimin.

Ndërsa për këtë çështje duket se e kanë rreptësisht të ndaluar të flasin njerëzit nga të cilët po pritet tash e sa muaj. Të kontaktuar disa herë nga KosovaPress, zëdhënësi dhe të tjerë anëtarë të kabinetit të kryeministrit Mustafa, nuk ishin në gjendje që të deklarohen ndaj këtij rasti, duke u përgjigjur me «pa koment».