Akademik Rexhep Ismajli, anëtar nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës

Gjuhëtari nga Prishtina tani e tutje do të jetë anëtar i Linguistic Society of America (LSA), e cila u themelua më 1924 dhe shërben për promovimin e studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë.

Rexhep Ismajli.



Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA) që është institucioni më i rëndësishëm shkencor për çështje të gjuhësisë. Njoftimi është dërguar të marten nga drejtoresha ekzekutive e LSA-së Alyson Reed, njofton Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Akademik Ismajli do t’i ketë të përjetshme statusin dhe përfitimet e anëtarësisë. «Kushtetuta jonë thotë se një studiues i huaj i shquar në fushën e studimeve gjuhësore e që nuk është banor i SHBA-së, mund të zgjedhet anëtar nderi i Shoqatës, në bazë të rekomandimeve të Komitetit Ekzekutiv», ka shkruar drejtoresha Reed në letrën e njoftimit për anëtarësimin e Ismajlit.

Linguistic Society of America (LSA) është themeluar më 1924 dhe shërben për promovimin e studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë. Është pandan i Akademisë së Shkencave për çështje të gjuhësisë. Boton dy revista, ndër më prestigjiozet në botë: «Language» dhe «Semantics and Pragmatics».

Rexhep Ismajli (1947) është anëtar i ASHAK-ut që nga viti 1993. Ndër anëtarët e tjerë të nderit të LSA-së janë disa nga autoritetet më të mëdha të gjuhësisë botërore përfshirë: Michael Halliday, John Lyons, Randolph Quirk, Wolfgang Dressler e Peter Trudgill.
Rexhep Ismajli u lind në Preshevë dhe kreu studimet për gjuhë dhe le­tërsi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 speciali­zoi për gjuhësi në Institut de linguistique générale et appliqué «René Descar­tes» (Sorbonne), Paris, nën drejti­min e André Martinet. Më vonë (1977/ 78) vazhdoi specia­lizimin në Institut für Allgemeine und Ver­glei­chende Sprachwissenschaft të Universitetit të Bochum-it. Doktoratën në shkencat filologjike e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1982. Më 1972 filloi punën asistent, pastaj ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar për lëndët Gjuhësi e përgjithshme dhe Histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe i ka drejtuar studimet e Gjuhësisë së përgjithshme dhe të Historisë së gjuhës shqipe në Studimet e shkallës III në Degën e gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Më 1989 policia jugosllave e vuri në «izolim» për 3 muaj në burgjet e Leskovacit, të Beogradit dhe të Prishtinës, pa mandat gjyqësor dhe me keqtrajtime të egra. Në vitet 1990-1993 ka mbajtur mësime për gjuhën shqipe dhe gju­hësinë shqiptare në Universitetin e Lubjanës. Më 1997 ishte për një semes­tër profesor me ftesë (Gastprofessor) në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit për të mbajtur mësime për albanologji. Pastaj vijoi mësim­dhënien për albanologji në München deri në vitin 2000. Në vitin 2000 u kthye në Prishtinë të vazhdonte mësimdhënien në Universitet. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitet 1996-1999 ka qenë Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i kësaj akademie. Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Vjenë/Salzburg. Në vitin 2006 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akadmeisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa më 2010 anëtar nderi i saj. Si për­faqësues i ASHAK-ut është anëtar i Interacademic Human Rights Net­work, New York. Në tetor 2002 u zgjodh Kryetar i Akademisë së Shken­cave dhe të Arteve të Kosovës.

Më 1971, bashkë me I. Rugovën dhe H. Islamin, themeloi revistën shkencore Dituria. Nga viti 1990 ishte i angazhuar në lëvizjen politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën ishte anëtar i Krye­sisë me përgjegjësi për marrëdhëniet ndërkombëtare. I pakënaqur me zhvi­llimet, më 1994 dha dorëheqje publike nga posti politik. Përveç si profesor, ka qenë i angazhuar rreth botimit të revistave shkencore, si: Dituria, Re­cherches albanologiques 1-4, Prishtinë (frëngjisht), Studia humanistica, Prishtinë, Godišnjak društava za primenjenu lingvistiku Jugoslavije, Beo­grad, Studime, ASHAK, Filologji, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, Thema, revistë e sociologjisë, Prishtinë, etj.; bashkëthemelues dhe redaktor i bo­ti­meve Fryma, (mbi 70 vëllime në fushën e dijeve shoqërore), Rozafa (letër­si), Dukagjini Balkan Books (frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht), të shtë­pisë botuese Dukagjini.

Ka marrë pjesë prej fillimit në punën e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huajt/Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në fillim Sekretar, anëtar i Këshillit drejtues, ndërsa në vitet 1998-2002 Drejtor i Seminarit. Më 2012 është zgjdhur kryetar i Komitetit të Kosovës për studimet e Europës Juglindore. Nga viti 2004 është bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. (dp)