Akademia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan Protokollin e bashkëpunimit

Këto ditë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kanë nënshkruar Protokollin e bashkëpunimit kërkimor-shkencor dhe artistik për vitet 2015-2017.




Sipas një njoftimi të ASHAK-ut, ky është Protokolli i tetë me radhë mbi bazë të Marrëveshjes së vitit 2000, të nënshkruar në Tiranë, transmeton Koha.net.

Protokolli për këtë periudhë dyvjeçare përfshin një gamë të gjerë temash, projektesh, botimesh, tryezash dhe konferencash të përbashkëta nga shkencat albanologjike, kulturo-historike, nga shkencat shoqërore, të natyrës dhe nga sfera e arteve.

Me këtë protokoll parashihet të organizohen disa tryeza dhe konferenca shkencore për tema të rëndësishme shkencore dhe artistike, si dhe të shënohen përvjetorë për figura të mëdha të shkencës dhe të kulturës shqiptare, pastaj të mbahen ligjërata të ndërsjella të akademikëve dhe të punonjësve shkencorë për çështje të rëndësishme dhe aktuale shkencore dhe artistike, të bëhet përurimi dhe këmbimi i rregullt i literaturës dhe informatave etj.