Ajo që e barti dhimbjen me dinjitet

Me rastin e vdekjes së zonjës Sadije Agani.

The candle's image is isolated against a black background and fades into a shadow.



Familjarët e zonjës Sadije Agani njoftuan sot se u shua nëna dhe gjyshja e tyre. Në kujtesën e opinionit kosovar, atij opinioni që ende reflekton, ajo do të ruhet si një grua që me dinjitet barti dhimbjen e madhe për tragjedinë familjare – vrasjen e bashkëshortit të saj, Fehmi Aganit, nga forcat e pushtetit të Serbisë në maj të vitit 1999. Kur u rrëmbye profesor Agani, një oficer i armatës serbe tha: «Shih! Shih kë e kemi ndalur: njeriun që na e solli NATO-n mbi kokë».

Në prag të bombardimeve profesor Agani me kthjelltësinë e tij politike kishte vepruar në tri fronte. Së pari: brenda LDK-së angazhohej për një sinjal më të qartë përkrahës ndaj kryengritjes së armatosur, së dyti: ishte ndër të rrallët nga krerët e LDK-së që mbante kontakte me prijësit e UÇK-së, së treti: ai ishte një partner i rëndësishëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe në momentet vendimtare bllokoi përpjekjen kriminale të një biznesmeni me lidhje në Beograd dhe Moskë për të shmangur ndërhyrjen perëndimore në çështjen e Kosovës. Fakti se në vitin 2018 figura të tilla pa kredibilitet politik e kombëtar luajnë rol në skenën e zymtë politike të Kosovës, është një goditje e rëndë për trashëgiminë e profesor Aganit.

Zonja Agani ishte më shumë se bashkëshortja e një lideri politik të Kosovës. Me krenarinë e saj të heshtur ajo na dëshmoi se liria ka vlera të tjera që janë e kundërta e ngarendjes pas pasurisë, meritave të pamerituara, posteve, manisë për grabitje, siç kanë bërë jo pak «çlirimtarë» pas çlirimit të Kosovës nga NATO-ja.

Sadije Agani ishte përherë modeste në rrëfimet dhe paraqitjet e saj publike, por përherë e gjallë, e besueshme dhe e bindshme. Këtë e ka dëshmuar në shumë intervista, të cilat opinioni i gjerë kosovar nuk i ka dëgjuar me kujdesin e duhur, sepse në viset tona më shumë dëgjohen ata që bëjnë zhurmë. Ajo nuk kërkoi që sipas meritës së bashkëshortit asaj t’i ndahet diçka nga pasuria e Kosovës, të emërohet një shesh në emrin e Fehmi Aganit apo ndonjë institut. Shoqëritë e pjekura duhet të dinë vetë t’i dallojnë vlerat nga jovlerat. Nëse nuk dinë, atëherë do të vazhdojnë të jetojnë me rrëfime se cili «komandant» e zaptoi filan dyqanin, ku hapi gurthyes dhe cilën ndërmarrje e privatizoi me kërcënime.

Përballë kësaj pamjeje të mërzitshme Kosova pati shembullin e zonjës Sadije Agani. Sot dhe përherë shoqëria kosovare duhet t’i jetë mirënjohëse asaj për gjurmët që la dhe ta kujtojë me respekt të madh.