Ajo është edhe kancelarja jonë

Nga Gjermania do të varet shumë se në çfarë drejtimi do të shkojnë vendet e Ballkanit në vitet e ardhshme. Andaj zgjedhjet në fund të javës në Gjermani janë të rëndësishme edhe për shqiptarët që jetojnë në Prishtinë, Strugë dhe Sarandë.

«Është detyrë e jona e përbashkët të kujdesemi që këto shtete të marrin kahun e një zhvillimi të mirë dhe të lëvizin hap pas hapi në drejtim të Bashkimit Europian»: Angela Merkel mbi vendet e Ballkanit.



Të dielën e ardhshme 61,5 milionë zgjedhës në Gjermani do të vendosin për përbërjen e re të Bundestagut, parlamentit gjerman. Kjo do të jetë legjistlatura e ’19 e parlamentit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha anketat tregojnë se zgjedhjet do t’i fitojë partia konservatore CDU e kancelares Angela Merkel. Rrjedhimisht, gjasat janë të mëdha që në katër vitet e ardhshme Gjermania të ketë si shefe të qeverisë një grua, e cila ka qenë në këtë post në 12 vitet e fundit: Angela Merkel. Nëse e mban këtë funksion edhe katër vjet, atëherë Merkel mund të matet me Helmut Kohlin: edhe ai ka qenë 16 vjet kancelar i Gjermanisë.

Merkel ka deklaruar se ka menduar gjatë nëse do të tërhiqet nga politika aktive apo do të garojë edhe njëherë. Ka vendosur të garojë për dy arsye: në vitin 2015 ajo hapi dyert e Gjermanisë për pranimin e një milion refugjatëve. Ky ishte vendimi më delikat i karrierës së saj. Që nga atëherë në Gjermani është forcuar e djathta dhe partia «Alternative für Deutschland» (AfD) mund të bëhet forca e tretë politike në Bundestag. Merkel ndihet e obliguar që edhe një mandat të ballafaqohet me efektet e vendimeve që ka marrë. Kandidatura e saj është dëshmi se ajo nuk i shmanget përgjegjësisë si politikane.

Një arsye tjetër për vendimin e saj ka luajtur fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane. Trump nuk e ka formatin e politikanit për të qenë lider i botës perëndimore. Këtë rol tani, mbase kundër vullnetit të saj, e ka marrë Merkel. Ose: këtë rol asaj ia kanë caktuar edhe mediat perëndimore. Vetë Merkel e quan «absurde» idenë që ajo të jetë «lidere e botës së lirë» («Weltkanzlerin»), por alternativë tjetër duket se nuk ka. Rrjedhimisht, edhe fushata elektorale në Gjermani nuk ka qenë e bujshme. Merkel nuk ka premtuar ndonjë kthesë të madhe politike, ajo vetëm garanton vazhdimësinë e politikës së deritanishme.

Kjo qasje ka nxitur kritika ndaj saj, mediat gjermane e kanë quajtur politikane të harxhuar, e cila s’ka çfarë i ofrojë më vendit. Megjithatë, sfiduesi i saj nga Partia Socialdemokrate (SPD), Martin Schulz, duket se është dorëzuar para zgjedhjeve. Kur u emërua kandidat për kancelar, Schulz notoi mbi një valë të madhe të popullaritetit, por ky ishte vetëm një entuziazëm i momentit. Ndërkohë vala e popullaritetit ka përfunduar si flluskë sapuni, gjermanët nuk po shohin kandidat tjetër për kancelare përveç Angela Merkelit.

Si superfuqi ekonomike dhe si vend me ndikimin më të madh brenda Bashkimit Europian, Gjermania ka gjasa të përcaktojë edhe fatin e rajonit të Ballkanit në vitet e ardhshme. Nga ky vend do të varet në masë të madhe se në çfarë drejtimi do të ecin vendet si Bosnja, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Disponimi në opinionin gjerman për zgjerimin e Bashkimit Europian, pra për pranimin e vendeve të reja, është kryesisht negativ. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjitha udhëheqjet politike në rajon. Liderët e dy partive kryesore gjermane (CDU dhe SPD) nuk kanë hequr dorë nga zgjerimi i BE-së, por s’janë të gatshëm që t’ua hapin dyert vendeve të Ballkanit pa i plotësuar kriteret.

Duhet lexuar mirë porosinë e Merkel që ia dërgoi këto ditë kryeministrit të ri të Kosovës: «Para jush dhe qeverisë suaj dalin detyra të rëndësishme dhe të vështira. Ngritja dhe forcimi i shtetit ligjor, përmirësimi i situatës ekonomike, dialogu me Serbinë, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi si dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkojnë vëmendjen tuaj. Këta janë hapat tuaj qendrorë për forcimin e perspektives europiane të Kosovës. Qeveria Federale edhe më tej do t’ju përkrahë në këtë rrugë».

Këto janë detyrat e shtëpisë jo vetëm për qeverinë e Kosovës. Duke e ditur sa thellë është i ngulitur krimi i organizuar jo vetëm në qeverinë e Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, duhet vërtet të ndodhë një mrekulli që qytetarët e shteteve të rajonit të shohin një perspektivë reale të hyrjes në BE.

Në takimin e vendeve kryesore të BE-së me shtetet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin, kancelarja Merkel në fillim të korrikut deklaroi në Trieste se «është detyrë e jona e përbashkët të kujdesemi që këto shtete të marrin kahun e një zhvillimi të mirë dhe të lëvizin hap pas hapi në drejtim të Bashkimit Europian». Për t’u ndihmuar vendeve të Ballkanit për të përmirësuar raportet mes tyre, Gjermania ka iniciuar të ashtuquajturin «Proces i Berlinit». Qëllimi është që këto vende së pari të afrohen mes vete dhe kështu të përgatiten për të hyrë në BE. Duke marrë si shembull shkëmbimet mes të rinjve gjermanë dhe francezë pas Luftës së Dytë Botërore, është vendosur që në Tiranë të hapet Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor mes vendeve të Ballkanit perëndimor. Parashihet edhe bashkëpunimi mes shkencëtarëve të rajonit. Ata do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvojat e tyre edhe në Institutin e Ballkanit të Akademisë së Shkencave të Austrisë, i cili është themeluar së fundi. Vendet e rajonit po ashtu do të përkrahen në realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore. «Stabiliteti politik në këtë rajon është stabilitet politik edhe për ne. Këtë e dimë nga shumë përvoja», ka deklaruar Merkel.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Ballkanit me Gjermaninë vërehen dallime të mëdha. Këtu si shembull po marrin Serbinë dhe Kosovën. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të muajit korrik «eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,5 milionë euro, ose rreth 22,2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 67,4 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Danimarka me 3,3 për qind; Holanda me 3,0 për qind; Gjermania me 2,7 për qind; Italia me 2,2 për qind; Bullgaria me 2,2 për qind, etj. Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 118,6 milionë euro, ose 43,1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.5 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12,3 për qind), Italia (7,0 për qind), Greqia (5,2 për qind), Polonia (2,6 për qind), etj.»

Këto janë shifra shumë modeste sidomos kur krahasohen me Serbinë, fqinjin verior të Kosovës. Në takimin me kryeministrin e atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, në fillim të marsit kancelarja gjermane tha para mediave: «Gjermania dhe Serbia janë dy vende të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën dhe me raporte miqësore. 400 mijë serbë kanë vendbanim të përhershëm në Gjermani dhe me një vëllim tregtar prej pothuaj 4 miliardë euro Gjermania hyn në mesin e partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të Serbisë. Investimet e drejtpërdrejta gjermane sillen rreth 1,3 miliardë euro. Sot mund të themi se 370 ndërmarrje me pjesëmarrje gjermane në Serbi punësojnë më shumë se 25 mijë punëtore dhe punëtorë».

Këto shifra do të duhej të alarmonin të gjithë përgjegjësit politikë në Kosovë të ngarkuar me përgjegjësi në fushën e ekonomisë. Një strategji serioze për sjelljen e investitorëve gjermanë kjo qeveri nuk e ka. Në kabinetin e kryeministrit pesë apo gjashtë ministra pretendojnë të merrem ne çështje ekonomike. Ka konflikte të pastra interesi, për shembull në rastin e tyxharit politiko-ekonomik Behgjet Pacolli, i cili e ka paditur shtetin e Kosovës në një Gjykatë Arbitrazhi në lidhje me privatizimin e hotelit Grand.