Ai ishte një shkëndijë drite për Kosovën: me rastin e vdekjes së nobelistit Elie Wiesel

I mbijetuar i Holokaustit, laureat i Nobelit për Paqe, luftëtar i pamposhtur për të drejtat e njeriut, instancë morale, autor, një zë i rëndësishëm në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës: Elie Wiesel ka vdekur në moshën 87-vjeçare.

Elie Wiesel (1928-2016).

«Indiferenca nuk është fillimi, ajo është fundi. Prandaj, indiferenca është përherë mike e armikut, sepse ajo ndihmon agresorin – kurrë viktimën e tij, dhembja e së cilës rritet, kur ai ose ajo harrohen. I burgosuri politik në qelinë e tij, fëmijët e uritur, refugjati i pastrehë – duke mos iu përgjigjur vuajtjes së tyre, duke mos ua lehtësuar vetminë me një shkëndijë shprese, do të thotë t’i dëbosh ata nga kujtesa njerëzore. Duke mohuar dinjitetin e tyre ne tradhtojmë dinjitetin tonë. Indiferenca, pastaj, nuk është më vetëm mëkat, ajo është edhe dënim. Dhe ky është njëri ndër leksionet më të rëndësishme në eksperimentet e thella me të mirën dhe të keqen në shekullin që po shkon».

Këto fjalë i ka thënë Elie Wiesel më 12 prill 1999 në një ligjëratë në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të serisë mbi Leksionet e Mileniumit. Ishte ajo një kohë, kur NATO luftonte për të ndërprerë përpjekjet serbe për gjenocid në Kosovë, një kohë kur kolona të gjata dhe të panumërta njerëzish prisnin për të kaluar kufirin e Maqedonisë, i cili ishte shndërruar në vrimë gjilpëre.

Në mesin e intelektualëve që i kanë dhënë kurajë presidentit amerikan Bill Clinton të vazhdojë betejën për çlirimin e Kosovës Elie Wiesel, hebreu që i shpëtoi Holokaustit, është ndër kryesorët. Të shtunën ai vdiq në New York në moshën 87-vjeçare, njofton «The New York Times». Lajmin për vdekjen e Elie Wiesel më parë e dhanë mediumet izraelite, qendra përkujtimore e olokaustiti Yad Vashem dhe gazetat kryesore gjermane.

Wiesel u lind më 1928 në Sighet të Rumanisë. Në vitin 1944 familja e tij u deportua në kampin e shfarosjes të Auschwitzit. Më 1945 Wiesel gjendej në kampin nazist të Buchenwaldit, i cili u çlirua nga trupat amerikane. Pas Luftës së Dytë Botërore Wiesel jetoi në SHBA, ku u shqua si aktivist i të drejtave të njeriut, publicist, profesor i judaistikës, themelues i Muzeut të Holokaustit në Washington dhe autor librash mbi fatet e hebrenjve.

Wiesel ia kushtoi tërë jetën ruajtjes së kujtimit të viktimave. «Kush përbetohet të shlyejë kujtimin e viktimave, ai i vret ato për herë të dytë», kishte thënë Elie Wiesel në vitin 2000 në një fjalim në Parlamentin e Gjermanisë.

Babai i tij Shlomo, nëna Sarah dhe më e vogla prej tri motrave të tij vdiqën nga makineria vrastare e nazistëve. Për Elie Wiesel kujtimi i gjashtë milionë hebrenjve të vrarë nga nazistët ishte akt rezistence ndaj çdo krimi në të ardhmen. Në vitin 1958 ai botoi kujtimet e tij nga kampet naziste: libri me titullin «Nata» u përkthye në 30 gjuhë. Kjo është ndër veprat më të lexuara për Holokaustin. Bashkë me të atin Eli Wiesel, i cili mbante numrin A-7713, u transferua në Buchenwald, ku babai i tij vdiq pak para se kampi të çlirohej. «Dita kur ai vdiq ishte ndër ditët më të errëta të jetës sime. Ai më thërriste dhe unë kisha frikë të lëvizja. Pastaj vdiq. Isha ty kur vdiq, por prapë nuk isha», ka treguar Elie Wiesel në vitin 2009 kur bashkë me presidentin amerikan Barack Obama dhe me kancelaren gjermane Angela Merkel vizitoi Buchenwaldin.

Pas luftës Wiesel jetoi në një shtëpi jetimësh në Francë, studio në Paris filozofi dhe letërsi, punoi si gazetar dhe korrespondent i politikës së jashtme. Ishte nobelisti francez i letërsisë François Mauriac (1885-1970) që e inkurajoi të shkruajë «për atë që nuk mund të thuhet». Wiesel ka shkruar gati 50 libra, ese, romane dhe pjesë teatrale. Në vitin 1986 u nderua me çmimin Nobel për Paqe për angazhimin e tij në mbrojtje të pakicave në mbarë botën. Komiteti i të mbijetuarve të Auschwitzit me rastin e vdekjes së Elie Wiesel shkroi se bota mbeti pa një mësues të njerëzimit.