Ai i shndritshmi dhe i tmerrshmi – Bekim Fehmiu

Unë nuk kërkoj hise nga Ju! Unë dua vetëm një grusht ajër,…qumësht dhe një grimë vesë, të tjerat i paçi n’nder – Amaneti

Foto: Fahredin SPAHIJA



Odiseun e lidhën për direku që të mos e dëgjonte këngën e sirenave. E lidhën në heshtjen e tij të madhërishme, në fortesën e kujtimeve si vlerën më të madhe të jetës – heshtja dhe revolta. Shkoi me vullnetin e tij dhe krejt vetmia e tij u shndërrua në dashuri. Mbledhësi i Puplave i Kanës (1976) – i mblodhi ato dhe vetëm ai e diti pse dhe psenë e mori me vete një të martë të 15 qershorit të vitit 2010.

U leçit nga fjala kurrë nga emri, fjalën e shndërroi në protestë. Bekim Fehmiu – pasuria e humbur në heshtjen e madhe. Dhe, në kohën heshtte penda, fliste populli, i pagëzonin çunat me Bekim. Ndjesia e thellësisë së shpirtit dhe amaneti i babait – dy brengat më të mëdha, i mbeten brenga deri në fund.

«Pse më respektoni kur unë s’fola kurrë shqip dhe foli shqip me flamurin gjak e flamurin shkabë… Shqiptar, kur ishte vështirë të jesh. Ecte rrugëve të baltosura të Kosovës heroi i adoleshentëve të kohës që kishte luajtur njëlloj si Xhon Vejni në filmin «Kalimi nëpër shpellën e djallit» (1971), miti shqiptar i Ava Gardnerit. Tha dashuria – ajo është liria. E tha këtë në «Liberté, mon amour!», më 1973, dhe atë bashkë me ëndrrën e emërtuar Klaudia Kardinale.

Sytë shndrisnin dobësinë e tij, Shirley McLane. Legjenda për Legjendën këndoi: «E njerëzit doje t’i bëje më të mirë dhe provove ta shuash zjarrin në shuplakë. Gjithçka që mundë t’u thoshe me heshtje u dogj për një ditë. U ke kënduar, u ke luajtur, ua ke qetësuar shpirtrat…

Heshtja e tij ishte më e fortë se buçitja e topave». E thirri heshtjen dhe i dha lamtumirën «Zonjës Kolontajn», Leninit dhe Stalinit dhe gjithë kurdisorve . I tha Moisiut në Morcote «Eu sa larg më ishe, e afër të pata!…» dhe pasoi «What about us».

Për 20 vjet kishte qenë ai më i madhi botërori Bekim afër Xhon Hjustonit, Olivije de Hevilendit, Ava Gardnerit, Dirk Bogartit, Sharl Aznavurit, Irena Papasit, Klaudia Kardinales, Sofia Lorenit, Kendis Bergenit, Ana Moofos, po edhe Faruk Begollit. Misioni qiellor imi thoshte: «Të ju zgjoj nga gjumi dhe vetë të zhytem në të». E pakuptueshme, e pakapshme, madhështore dhe prapë absurde – bekimiane. Vjeshtë e parë 68 – historia e Holivudit me «Avanturierët» të Luis Xhilbertit, dhe premiera në Pier – Nju Jorku foli shqip e Bekimi xhamadan me tirqi.

Emrin ia skalitën aty te «Dictionaire Visuel du Cinema Culte». Emrat tjerë i kishte skalitur Ibrahimi i 1892-tës, që bëri rrugë me Bajramin (Currin) – Besa, fjalë e nderit; Shpresa – shpresë në ditë më të mira; Bashkim, djali i parë, të bashkohemi; Arsim, arsimohuni; Fatmir, fat i mirë për ne; Bekim, bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër dhe Luljeta, lulja e jetës.

E Instituti nuk mbajti heshtje (E ai në heshtje nga 1987), dhe mirë që s’mbajti se ajo do e fyente dhe fikte shndritjen qiellore.

S’ishte yni, ishte tepër i madh për të qenë. U katapultua në orbitë, ku edhe e kishte vendin dhe, siç tha dikush, ishte fanari, drejt të cilit do të shkonim ne dhe ata që vijnë pas. I kaloi të gjithë kufijtë, edhe ata imagjinar bile. ‹Ended Life as He Lived it› – Shkoi ashtu si jetoi. Fanar dhe dritë jona – Bekim Fehmiu.