Ahmeti për autobusët: Nënshkruajeni më se e tepruat!

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar nga Ministria e Financave që të nënshkruaj garancionin për prurjen e autobusëve urbanë në Prishtinë.

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Ai ka kërkuar ndjesë që sot po e bën këtë kërkesë në Facebook, ngaqë është ndeshja Francë-Shqipëri, transmeton Koha.net.

«Më falni që në këtë ditë të lojës po shkruaj prapë për autobusë, por vetëm insistimi jonë si qytetarë dhe presioni mund ta shlyejnë këtë qeveri për të punuar për të mirën e qytetarëve», ka shkruar Ahmeti, duke kujtuar se «pas një viti heshtje në maj e vendosen edhe një kusht për ta kaluar në qeveri garancionin».

Ai ka thënë se sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë fare kjo pikë në rend dite dhe ka potencuar se kanë kaluar 20 ditë nga kushti që e kanë vendosur vetë qeveria, dhe nuk po e konfirmojnë.

«Me 18 maj e kaluam, me 25 e dërguam në qeveri për ta konfirmuar ligjshmërinë. Ministria e Financave i ka pas 15 ditë për ta konfirmuar. Kanë kaluar 20 ditë dhe kushtin qe vetë e kanë vendos nuk po e konfirmojnë. Sot kishte mbledhje te qeverisë dhe garancioni nuk ishte në rend dite. Të premten është edhe një mbledhje», shton Ahmeti, teksa përfundon me një frazë gjithë këtë postim: «Nënshkruane më se e tepruat!».