Ahmeti: Është për t’u tmerruar çka ka ndodhur me tjetërsim pronash

Për kreun e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, denoncimi i korrupsionit është vetëm hapi i parë. Por sipas tij, lufta kundër korrupsionit ka mbetur vetëm në nivel të deklaratave.




«Sot dëgjova se në këshillin nacional kundër korrupsionit është fol për heroizmin e denoncimit të korrupsionit. Denoncimi është vetëm hapi i parë. Megjithatë në qoftë se pas denoncimit ndodhin shumë pak gjëra atëherë ai heroizëm kthehet në apati dhe mosvullnet për të dërguar raste tjera», ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, ka prokurorë të guximshëm që kanë punuar në aktakuza por mbeten edhe shumë dosje të tjera të papërpunuara vetëm nga komuna e Prishtinës.

«Për më shumë, ka disa muaj që gjykata ka vendosë që një drejtor i kompanisë Pastrimi të mos e ushtrojë detyrën sepse ka dokumente që ai aty është duke qëndruar në mënyrë të paligjshme (Feim Salihu). Deri më sot e kemi dërguar rastin për ekzekutim në gjykatë, polici, inspektorat të punës e edhe në instancat më të larta të shtetit. Deri më sot askush nuk e heq nga zyra, përkundër vendimit të gjykatës. Prandaj leni fjalët e mëdha e merruni me akte të vogla», ka porositur Ahmeti.

Numri një i Prishtinës, thotë se vetëm çka është bërë në kadastër e gjykata me tjetërsime të pronave është për t’u tmerruar.

«E mos të flasim për Urbanizmin, Inspekcionin e ndërmarrjen publike banesore. Ka në Kuvendin Komunal uzurpator që i lejohet me votu për të njëjtat prona. Me imazh e pa substancë do të mbetemi ndër shtetet më të korruptuara. Boll ma», ka thënë Ahmeti.