Ahmeti: Bojkoti i LDK-së dhe PDK-së është turp për shtetin tonë

Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj bojkotimit që LDK dhe PDK i kanë bërë seancës së sotme të KK të Prishtinës, ku pritej të diskutohej për ndarjen e një parcele për ndërtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.




Ahmeti thotë se këtë çështje e ka diskutuar me përfaqësuesit e Shqipërisë për disa muaj rresht, dhe janë dakorduar për lokacionin e ri të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në qendër të qytetit.

«Qe dy javë kam kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit për të proceduar para mbledhjes se përbashkët të dy qeverive. Kur e vërejtëm hezitimin e Kryesuesit, e kuptova se në vitin 2007 apo 2008 Komuna gjatë udhëheqjes së LDK-së kishte ndarë këtë lokacion për partinë, pra për LDK-në, për ta ndërtuar selinë shumëkatëshe të partisë», thotë Ahmeti në reagimin e tij të postuar në Facebook, raporton Koha.net.

«Sot LDK e bojkotoi mbledhjen duke thënë se ajo tokë është e tyre. Po ashtu PDK ka bojkotuar seancën duke dalë hapur kundër Shqipërisë për interesa të LDK-së», shton më tej ai.

Ahmeti thotë se kjo nuk është hera e parë që komuna gjatë viteve të qeverisjes së tyre, duke iu referuar LDK-së, «ka ndarë prona për vetveten, por kjo sot i tejkalon kufijtë e një beteje të cektë politike që po e bëjnë individë të caktuar brenda dhe jashtë kuvendit komunal».

«Republika e Kosovës ka Ambasadë në qendër të Tiranës. Ky veprim i LDK/PDK në KK Prishtina është turp për shtetin tonë. Qoftë në ndërgjegjen e tyre», përfundoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.