Ah, nji sonet…

Portret i Fernando Pessoas.



Zemra ime asht nji admiral çmendurak
që braktisi profesjonin detar
e që rrin tue e kujtue pak nga pak
në shtëpi tue ecë, tue ecë tasheparë…
N’vajtje-ardhje (vetë unë jam ecejak
mbi kët’ karrige; veç shêj imagjinar)
deti i braktisun qëndron në flakë
në muskujt e lodhun e pushimtarë.
Asht nostalgjia ndër kambë e ndër kra’
asht nostalgjia n’trunin e shpërndamë
asht zemrimi i madh ardhë lodhjet sa s’ka.
Por – kjo asht e bukur – buronte thellë zemrës
kur flisja… e ku dreqin tashti jam
me admiralin në vend të ndjenjës?…
***
Jo, nuk asht lodhje…
Asht nji masë përhitjet
që më futet në këtë soj mendimi,
asht nji e diel e rrokullisun
nga ndjenja,
nji ditë festive kalue në humnerë…
Jo, lodhje nuk asht…
Asht fakti që unë ekzistoj
e po ashtu dhe bota,
me krejt çka përmban,
me krejt çka në të shpjegohet
dhe në fund asht e njejta gja, variant në nji kopje.
Jo. Lodhje pse?
Asht nji ndijim abstrakt
i jetës konkrete –
diçka si nji britmë
për me u lëshue,
diçka si nji angështí
për me e vuejtë,
ose me e vuejtë krejtsisht,
ose me e vuejtë si…
Po, ose me e vuejtë si…
Pikërisht kjo, si…
Si çka?…
Po ta dija, nuk do të ishte tek unë kjo lodhje e rreme.
(Ah, të verbët që këndojnë në rrugë,
ajo organo ambulante e jashtëzakonshme
asht kitara e njenit, dhe viola e tjetrit dhe zani i asaj!)
Sepse ndigjoj, shoh.
Rrëfej: asht lodhje!…

Përkthyer nga Lisandri Kola