Agjenda e padobishme e Albin Kurtit

Deklaratat e liderit të Vetëvendosjes në «New York Times» lidhur me ballafaqimin me të kaluarën dhe sidomos me Gjykatën Speciale janë kundërthënëse dhe të padobishme për Kosovën. Albin Kurti do të mund të argumentonte më mençur. Por tragjedia e tij është se shpesh e ngatërron patriotizmin me popullizëm.

Foto: Shutterstock



Për «New York Times» Albin Kurti ka deklaruar: «E kemi kundërshtuar atëherë gjykatën (speciale), dhe do ta kundërshtojmë edhe tani». Kjo duket si një aleancë e ripërtërirë me ata që duan ta suspendojnë gjykatën. Cili do të jetë rezultati? Një gjykatë e re e themeluar nga OKB, me gjasë. Pra, efekti do të jetë edhe më negativ. Nga skena e Hagës Kosova rrezikon të ngjitet në skenën më prominente të mundshme të politikës botërore: në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku fuqinë e vetos nuk e ka vetëm Amerika, por edhe shtete të tjera që aktivisht luftojnë pavarësinë e Kosovës. Është po ashtu naive të besohet se me pezullimin e Gjykatës Speciale Bashkimi Europian do të përgëzojë «elitat politike» në Prishtinë, do të heq vizat dhe do të fillojë integrimin e Kosovës në BE. E kundërta do të ndodhë: izolimi i Kosovës, sanksione për politikanë etj. Cinikët mund të thonë: po ne të izoluar jemi! Ka disa shkallë edhe izolimi.

Më tutje Kurti në «New York Times» thotë: «Refuzojmë plotësisht gjykimin e pjesëtarëve të UÇK-së për krime në baza etnike». Nëse krimet janë kryer në baza etnike, përse të mos ketë gjykim të atyre që dyshohet se i kanë kryer krimet? Gjykata Speciale është themeluar për shkak të dështimit kolektiv të shoqërisë dhe drejtësisë kosovare për të gjykuar figura të dyshuara për krime të luftës. Janë vrarë dëshmitarë. Janë kërcënuar dëshmitarë. Janë blerë dëshmitarë. Vrasësit dalin e flasin çfarë t’u teket në media. Familjet e viktimave kërkojnë drejtësi.

VV vazhdimisht e përsërit se «ne kemi dashur të hetojmë SHIK-un, por LDK nuk pranoi». Duke e ditur çfarë polarizimi politik ekziston në Kosovë, një hetim i tillë do të ishte një farsë. Një rrugë më e mundimshme është kjo: forcimi i sistemit të drejtësisë, mposhtja e frikës te njerëzit, mbrojtja e dëshmitarëve, inkurajimi i tyre për të dëshmuar. Gati asgjë nga këto s’kemi bërë si shoqëri, andaj Kosova ballafaqohet me Gjykatë Speciale. Por, Gjykata Speciale nuk ia ndalon drejtësisë kosovare të mbledhë dëshmi dhe të akuzojë edhe serbë që kanë kryer krime të luftës. Madje ambasadori britanik këto ditë bëri thirrje që kjo të bëhet patjetër. Çka është bërë në këtë drejtim që nga viti 1999?

«(Gjykata Speciale) është e dëmshme për vendin tonë brenda por edhe për kombin tonë jashtë», vazhdon Kurti. Nëse përpjekja e drejtësisë për të ndriçuar disa krime të rënda të luftës dhe pasluftës është e dëmshme, atëherë mirë qenka puna. Po vazhdojmë të bashkëjetojmë me të gjithë ata që rregullisht u përmendet emri në media për vrasje politike dhe krime të luftës. Imazhi i Kosovës nuk rregullohet duke refuzuar bashkëpunimin me drejtësinë.

Pastaj Albin Kurti premton se VV nuk do t’i pushojë përpjekjet e saja për t’i sjell para drejtësisë liderët aktualë të vendit për ato që thotë ai të kenë qenë «krime të kryera gjatë paqes». Kurti duket se është i bindur se individë shqiptarë nuk kanë kryer asnjë krim në luftë. A domethënë kjo se të gjitha krimet janë kryer pas luftës dhe lidhen vetëm me korrupsion? Por ka qenë një deputet i VV-së që i akuzonte dy krerë të PDK-së për zhdukjen e një aktivisti të LPK-së – gjatë luftës. Si të trajtohet ky rast dhe nga kush? Akuzat e tij deputeti i VV-së i ka bërë nga foltorja e parlamentit. Rrjedhimisht, deklaratat e Kurtit në gazetën amerikane janë mjaft kundërthënëse dhe të padobishme për Kosovën. Albin Kurti do të mund të argumentonte më mençur. Por tragjedia e tij është se shpesh e ngatërron patriotizmin me popullizëm. Kjo qasje nuk ka të bëjë asgjë me vlerat europiane, as socialdemokrate.

Nëse dikush ka qenë i gatshëm «të vdesë për Kosovën» në luftën për liri dhe nëse gati 20 vjet thotë se UÇK ka kryer «luftë të pastër si loti», atëherë përse të ketë frikë? Le ta marrin shembullin e gjeneral Rrahim Ademit. Për dallim nga disa patriotë të rrejshëm kroatë, Ademi u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Lënda e tij iu dorëzua pastaj autoriteteve kroate dhe ato e liruan. Diçka që fare s’po përmendet është edhe mundësia që Gjykata Speciale e Kosovës të lirojë ata që akuzohen për krime lufte – në mungesë të dëshmive, për shembull. Ose e bindur nga pafajësia e tyre. Rruga tjetër është konfrontimi me botën – madje me atë pjesë të botës pa të cilën Kosova nuk do të mbijetonte si shtet. «Ne nuk duhet të sillemi thua se Kosova dhe Shqipëria tashmë janë bashkuar dhe fuqia jonë është më e madhe se e Izraelit. Ne jemi të vegjël dhe neve na rrëzojnë me një shuplakë». Fjalë të thëna nga njëri nga themeluesit e UÇK-së para disa ditësh. Politika fillon aty ku pranohet realiteti.