Agjenda e mbrapshtë e Thaçit

Presidentët e shteteve të tjera ndërpresin vizitat në botën e jashtme, kur arrestohen ish-kryeministra dhe figura të rëndësishme politike. Kryetari i Kosovës ia mbathi për Amerikë, ndërsa Ramush Haradinaj dhe shumë qytetarë të Kosovës presin në ankth vendimin e drejtësisë franceze ndaj kërkesës serbe për ekstradim.

Rrugëve të New Yorkut: Hashm Thaçi gjatë një vizite të mëhershme në metropolin amerikan. Foto: Presidenca e Kosovës



Në karrierën politike të Hashim Thaçit ekziston një vijueshmëri, të cilën mund ta quajmë «Momenti Hashim». Këtë moment ai e përjeton kur mund të nënçmojë kundërshtarët politikë, rivalët partiakë, këshilltarët që i ka përdorur për nevoja të veta dhe i hedh tutje si leckë, kur mund të tallet me diplomatët, me tërë bashkësinë ndërkombëtare. Në një bisedë të publikuar nga portali Insajderi Thaçi i tregonte «shefit të shefave» Adem Grabovci se të nesërmen do të ketë takim me sekretaren amerikane, Hillary Clinton – «me Hillarinë»! Këtë takim Thaçi nuk e përshkruante si ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Ai mendjen e kishte tjetërkund. «Ata kanë me plasë», thoshte Thaçi. E kishte fjalën për opozitën. Domethënë e tërë ambicia e tij politike fillon e mbaron në poshtërimin e opozitës dhe çdokujt që mund të jetë kritik i prapësive të tij politike.

Prej se është zgjedhur president Thaçi ka një hall: si të bëhet president. Fuqia e tij politike është në rënie, portalet që e lavdëronin dikur, tani e përqeshin tërë ditën (me dhe pa arsye), brenda Kosovës ai s’po arrin assesi të jetë i pranueshëm si faktor i unitetit, siç e kërkon Kushtetuta, jashtë Kosovës ai nuk ka arritur të realizojë asnjë vizitë në shtetet vërtet vendimmarrëse. Për t’u treguar «i moderuar» para bashkësisë ndërkombëtare, ai ka bërë disa xhiro nëpër varreza të serbëve në Kosovë. Këtu s’do të kishte gjë të keqe nëse Thaçi dhe ekipi i tij të kishin arritur që gjatë bisedimeve në Bruksel ta detyronin Serbinë të sqarojë, më në fund, fatin e shqiptarëve të zhdukur, të kërkojë falje për krimet masive të luftës dhe të tregojë gatshmëri për të paguar dëmet e luftës. Krahas 10 mijë shqiptarëve të vrarë forcat serbe kanë shkatërruar gjatë viteve 1998/99 mbi 100 mijë objekte banimi në Kosovë.

Zgjedhja në postin e presidentit i ka treguar Thaçit kufijtë e pushtetit. Për të kjo situatë është e padurueshme. Kur s’ka çfarë të bëjë tjetër, propozon ndryshime kushtetuese, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Sa ishte vetë shef qeverie nuk e ka përkrahur kurrë një ide të tillë. Izolimi ndërkombëtar, frika se mund t’i ngushtohet rrethi nga Gjykata Speciale, rënia e ndikimit të besnikëve të tij në kreun e partisë, kanë bërë që Thaçi për të treguar rëndësinë e vet të vizitojë rend e pa rend Shqipërinë, të merret me shpërndarje dekoratash në Shkup, të ndjekë ndeshje futbolli (të Shqipërisë në Francë, të Kosovës në Finlandë), të jap deklarata të papërgjegjshme në Ankara («Kush është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë»).

Ka disa javë që politikanë të ndryshëm në Ballkan shtyhen për të gjetur ndonjë derë për të qenë të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump. Në Bosnjë-Hercegovinë lideri i serbëve Milorad Dodik ka deklaruar se ka marrë ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e 20 janarit. Mediat në Sarajevë e kanë vënë në dyshim këtë, duke thënë se bëhej fjalë për një ftesë të një organizate lobiste nga Washingtoni për të marrë pjesë në aktivitete «rreth ceremonisë» së inaugurimit. Se çfarë qëndrimi ka ambasada amerikane në Bosnë ndaj «ftesës» me të cilën lavdërohej Dodiku tregon ky fakt: ambasada ka refuzuar t’i lëshojë vizë popullistit serb për të hyrë në Amerikë.

Një debat kundërthënës mbi «ftesën e Trumpit» është zhvilluar edhe në Kosovë: ndërsa Thaçi nuk mori asnjë ftesë nga Amerika dhe me gjasë mori inat, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj doli në opinion me njoftimin se është ftuar në aktin u inaugurimit të Trumpit. Disa media në Prishtinë ngritën dyshime të drejta ndaj ftesës. Çfarë mund të thuhet me siguri të plotë, sipas dokumenteve amerikane, është kjo: në ceremoninë e inaugurimit të presidentit janë të ftuar shefat e misioneve diplomatike, por jo edhe delegacione të huaja, rrjedhimisht as Haradinaj, as ndonjë palaço i skenës politike të Prishtinës që bërtet nëpër media sociale: «Më ka ftuar Trumpi, më ka ftuar Trumpi». E paqartë është nëse Haradinaj kishte fare vizë për SHBA. Këtë mbetet t’ia dëshmojë opinionit pas lirimit.

Sidoqoftë, Haradinaj u arrestua në Francë rrugës «për në Washington», siç po besojnë mbështetësit e tij. Ndalimi i Haradinajt me kërkesë të Serbisë ka acaruar situatën në Kosovë, ekstradimi i tij në Serbi mund të shkaktojë trazira në Kosovë. Në situata të tilla presidentët e shteteve të tjera ndërpresin vizitat në botën e jashtme. Pa marrë parasysh se çfarë mendimi mund të ketë, ta zëmë, presidenti për Haradinajn, arrestimi i tij ka të bëjë edhe me shtetin e Kosovës, nuk është çështje private e Haradinajt. Bëhet fjalë për një ish-kryeministër dhe figurë politike dhe të historisë bashkëkohore. Këtë po e dëshmojnë edhe qytetarët që po protestojnë kundër arrestimit të tij. Çfarë bën në këtë situatë Thaçi? Kryetari i Kosovës ia mbathi për Amerikë, ndërsa Ramush Haradinaj dhe shumë qytetarë të Kosovës presin në ankth vendimin e drejtësisë franceze ndaj kërkesës serbe për ekstradim.

Pa asnjë paralajmërim të vizitës nga zyra e tij, Thaçi njoftoi opinionin përmes Facebookut se ka arritur në Amerikë: «Sapo arrita në SHBA për një vizitë disaditore. Do të kem takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, senatorë, kongresmenë, politikanë dhe miq të Kosovës». Asnjë fjalë se nga kush është ftuar në SHBA presidenti i Kosovës, a kanë emra ata zyrtarë që do të takojë, kush janë ata senatorë e kongresmenë? Madje qytetarët e Kosovës nuk e kanë të qartë se ku gjendet në SHBA presidenti që po udhëton me paratë e taksapaguesve. Në New York apo në Washington? Në Alaskë apo në Kaliforni? «Sapo arrita në SHBA». Ky njoftim është i mjaftueshëm për ndonjë jaran, por nuk është mënyrë serioze e komunikimit me opinionin publik. Por ka një simbolikë demaskuese në fotografinë (joaktuale!) dhe të postuar në Facebook nga Thaçi apo stafi i tij: aty Lartgjatësia e Tij shihet duke kaluar vetëm rrugën në New York dhe në dorë mban një gotë prej kartoni të mbushur me kafe, çaj apo pije tjetër të shëndetshme. Mesazhi i kësaj fotografie, shikuar në kontekstin e sotëm, është ky: «S’pata ndonjë punë, por, hajt, erdha pak për kafe në Amerikë».