Agjencia për Produkte Medicinale ende pa kryeshef




Ende nuk ka një vendim se kush do të jetë kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale, raporton KTV.

 

E drejtimi i institucioneve publike shëndetësore me ushtrues detyre është problem kronik i këtij sektori.

Për shkak të problemeve e parregullsive të shumta, për më shumë se 5 vjet, klinikat e QKUK-së nuk kishin drejtor.

Në të njëjtën situatë është edhe Agjencia për Produkte Medicinale, e cila tash e dy vjet është me ushtrues detyre të kryeshefit.

Arjanit Jakupi thotë se nuk mund të bëhet puna njëjtë si të ishte në këtë pozitë zyrtarisht. E pasi i ka hyrë kësaj gare, ai pret vendimin e ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje elektronike, zyrtarë të kësaj ministrie kanë bërë të ditur të kenë pranuar listën me tre emra, për çka fjalën e fundit pritet ta japë ministri Imet Rrahmani.

KTV-ja merr vesh se në listën e ngushtë për kryeshef të AKPM-së, përveç ushtruesit të detyrës, Arjanit Jakupi, janë edhe Jeton Shala, që ka mbajtur më herët këtë pozitë dhe Lutfi Mulaku, shef i laboratorit në këtë institucion.