Agjencia Kadastrale s’i zgjidh kontestet kufitare ndërkomunale

Kontesti pronësor i pronarit të dy parcelave në Zonë Industriale të Prishtinës, Adem Pireva, dhe kompanisë «Britania Homes», ka nxitur Komunën e Prishtinës dhe atë të Fushë- Kosovës të kërkojnë zgjidhje në organet më të larta shtetërore të kontestit kufitar ndërkomunal.




Kjo, pasi që zgjidhje të këtij kontesti nuk ka ofruar as Agjencia Kadastrale. Këtë e ka pohuar drejtori i Urbanizmit në Komunën e Fushë-Kosovës, Abdullah Prebreza. «Fushë-Kosova ka plane të ndryshme nga ato të Prishtinës, kështu që për shkak të paqartësive kufitare midis dy komunave po krijohen edhe telashe», ka thënë Prebreza, sipas të cilit meqë Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk po ka mundësi ta zgjidhë kontestin, janë të detyruar t’iu drejtohen institucioneve më të larta të shtetit, duke përfshirë Presidencën, Kryeministrinë, Parlamentin e Kosovës.