Agjencia gjermane e lajmeve DPA: Vetëvendosje pritet të shënojë rritje të ndjeshme

Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet një tërmet politik, parashikon agjencia gjermane e lajmeve.




Të kriminalizuar dhe të korruptuar – kështu e përshkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA Kosovën e qeverisur nga partitë e ashtuquajtura «krahu i luftës». Pasi përkujton se çështja e liberalizimit të vizave ka mbetur peng për shkak të moszbatimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe autonomisë së serbëve në Kosovë, DPA shkruan se Kosova ka mbetur ndër vendet më kriminale dhe më të korruptuara të Europës – «përfshirë tregtinë me armë, drogë dhe njerëz në nivel tepër të lartë». Agjencia gjermane e lajmeve thekson se drejtësia në Kosovë është e paaftë, e korruptuar dhe shpeshherë dorë e zgjatur e politikës. «Mjerimi ekonomik dhe social – përfshirë papunësinë në nivel rekord para së gjithash në mesin e të rinjve – po i shtyn njerëzit në rrjete kriminale», shkruan DPA.

Sipas DPA SHBA-të dhe Bashkimi Europian prej viesh mendojn se si t’i zënë mat politikanët udhëheqës të Kosovës për shkak se ata tradicionalisht si prijës klanesh po i ashpërsojnë problemet ekzistuese në Kosovë. «Shpresat varen nga gjykata e sapothemeluar ndërkombëtare mbi trajtim e krimeve të luftës të palës shqiptare para së gjithash ndaj serbëve. Por, me sa duket radikalët shpresojnë se duke marrë qeverinë ta bëjnë të pamundur ndjekjen e përfaqësuesve të tyre kryesorë nga Haga».

DPA e quan «krahun e luftës» të përbërë nga PDK, AAK dhe Nisma një «koalicion ekstremist», i cili po prin në anketat elektorale. Agjencia gjermane thekson se në zgjedhjet e 11 qershorit Lëvizja Vetëvendosje pritet të shënojë rritje të ndjeshme. Deri më tani VV ka qenë forca e tretë politike në vend. Kjo parti nga DPA përshkruhet si «tepër nacionaliste». (dp)