Agjencia gjermane e lajmeve DPA: Gati asgjë nuk është zbatuar nga Marrëveshjet e Brukselit

Brukseli është duke ndërmjetësuar prej vitesh mes Serbisë dhe Kosovës, dy fqinj të armiqësuar. Tani Bashkimi Europian po përpiqet të shpëtojë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Agjencia gjermane e lajmeve DPA kritikon BE-në për shkak se nuk po i qaset thelbit të problemit.

Foto: Shutterstock



Bashkimi Europian i ka ftuar krerët e shtetit dhe të qeverive të Serbisë dhe Kosovës për një takim në Bruksel në përpjekje për të shpëtuar ndërmjetësimin deri më tani pak të suksesshëm mes dy fqinjve, njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA. Kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini do të presë të martën në mbrëmje presidentin serb Tomislav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe homologët e tyre kosovarë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Sipas DPA marrëdhëniet serbo-kosovare janë keqësuar pasi Kosova pengoi një tren propagandistik serb për të kaluar kufirin. Pala serbe pastaj kërcënoi me intervenim të ushtrisë.

Sipas DPA thelbi i problemit është se Serbia nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës, të cilën e ka njohur mbi 100 shtete. Beograd e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të vet shtetëror – «për shkak të manastireve mesjetare dhe fushëbetejave si dhe pakicës serbe».
DPA thotë se Bashkimi Europian ka ndërmjetësuar disa kompromise të vogla, por pa iu qasur thelbit të problemit: refuzimit të Serbisë për të pranuar Kosovën. DPA sjell një listë të problemeve më të mëdha të hapura dhe marrëveshjeve të pazbatuara: çështjet e pazgjidhura të pronësisë së Trepçës dhe të zonës së sporteve dimërore në Brezovicë, furnizimi ndërkufitar me rrymë dhe ujë, lëvizja e lirë e qytetarëve, themelimi i një asociacioni të komunave serbe «për mbrojtjen e interesave të pakicës» serbe në Kosovë, tërheqja e Republikës së Serbisë nga veriu i Kosovës, ku pakica serbe përbën shumicën, sistemi juridik i Kosovës në veri, hapja e urës mbi lumin Ibër në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ndalimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë në bazë të një fletarresti serb.

Sipas DPA Brukseli ka disa mjete persioni. Në Kosovë punon Misioni më i madh i BE-së, trupat e NATO-s kujdesen për siguri. Serbia është kandidat për anëtarësim në BE dhe dëshiron të hap kapituj të rinj. Kosova dëshiron liberalizim të vizave. (-lli)