Agjencia gjermane e lajmeve DPA: Ende nuk ka vdekur ideja e Serbisë së Madhe

Shumë bashkëpunëtorë të Slobodan Millosheviqit edhe sot mbajnë poste. Dhe nuk pendohen për asgjë. Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave, i publikuar para 30 vitesh, mbetet ende aktual.

Pale, Bosnjë, 19 maj 1993: Trupa serbe me një kafkë njeriu të vendosur në tytën e armës. Foto: Shutterstock

Edhe pas shumë luftërave me mbi 100 mijë të vdekur ideja e Serbisë së Madhe të fuqishme nuk ka vdekur ende. Sa më shumë që po thellohet kriza ekonomike dhe sociale në Serbia, aq më shumë të rinj kacavirren pas ideve nacionaliste të së kaluarës, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Këto ide u formuluan para tri dekadave nga ana e Akademisë së Shkencave dhe janë ende shumë aktuale në shtresa të gjera të popullsisë. Tezat themelore janë këto: në shtetin shumëkombësh të Jugosllavisë serbët janë trajtuar padrejtësisht. Ekonomikisht ata mbetën prapa, politikisht dhe në aspektin shoqëror ata i shtypën nga të tjerët, kombet shumë më të vogla, nënvizon DPA.

«Nga kjo bazë ideologjike Serbia mes viteve 1991 dhe 1999 zhvilloi luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Shkencëtarët prijës u ankuan në <Memorandumin> e tyre për <gjenocidin fizik, politik, juridik dhe kulturor> ndaj bashkëvendësve të tyre në krahinën e Kosovës të banuar pothuaj se vetëm nga shqiptarët. Rrënjët e të gjitha të këqijave përpiluesit i shihnin te fakti se 3,3 milionë serbë jetonin si pakica jashtë Serbisë. Në projektin e Serbisë së Madhe <të gjithë serbët> do të jetonin <në në shtet>. Për të arritur këtë qëllim presidenti i atëhershëm serb Slobodan Millosheviq pranoi edhe luftëra. Ai vdiq pa gjykim në Tribunalin e Hagës më 2006 nga një sulm në zemër. Por shumë bashkëpunëtorë të tij edhe sot mbajnë poste. Dhe nuk pendohen për asgjë. Numri dy pas autokratit të dikurshëm, Borisav Joviqi, sapo ka prezantuar një libër me titullin provokues: <Si e humbën serbët një shekull>. Historiani i njohur Holm Sundhaussen në veprën e tij standarde e gjykon memorandumin kështu: <Ai shfaqet si një pamflet paranoik mbi gjendjen e popullit serb> dhe <përbëhet prej pretendimeve dhe fajësimeve të padëshmuara. Autorët relativizojnë imazhet e vjetra të armiqësisë dhe paragjykimet>. Fryma nacionaliste, e cila më 24 shtator 1986 u nxor nga shishja përmes disa pjesëve të memorandumit të botuara në gazetën atëbotë më të madhe <Veçernje novosti>, ende nuk është bërë zap». (-lli)