Agimi, Bajrami, Kurtani, Vesna, Gjergji dhe shokët e shoqet e tyre

Një dramaturg anglez thoshte: «Është mallkim i kohës kur të tërbuarit udhëheqin të verbrit». Për të shuar kureshtjen: në vijim lista me emra e zëvendësministrave. Mbiemrat nuk kanë rëndësi.



Vjeshta është stinë e begatisë. Ajvar, turshi, rasoj – dhe zëvendësministra. Bien gjethet, ulen zëvendësministrat në kolltukë. Ikin shpendët në drejtim të Afrikës, vijnë zëvendësministrat. Ikin grabitqarët e krimbave, vijnë grabitqarët e buxhetit. Botën e mbulon mjegullia, me zëvendësministra në zyra pushteti futet edhe mujshia. Yjet zbehen në qiell, patatet skuqen në furrë dhe zyrat e zëvendësministrave – burrë mbi burrë. Luftë për karrige, luftë për «tovolina», beteja për kalema. Vjeshtë – nuk ka diell, nuk ka flutura, nuk ka shqiponja, nuk ka thnegla, por ka zëvendësministra. Këtë ditë e kemi pritur – zëvendësministra të renditur si fuçitë me turshi. Kokëlakër e kokëkungull, ministër e zëvendësministër, Kosova Republikë.

Në vjeshtën e vitit 2017 Kosova u bë, shyqyr i madhi zot, me qeveri, me ministri, me ministra, por edhe me zëvendësministra. U bëmë me bajrushë, muherremë, arbëra, mustafenjë, hesetë. U bëmë me fatirë, usmenë, xhavitë, besnikë, ganinjë. U bëmë edhe me gjergjër, antonër, rejhanër, abduldiçka dhe izmitër, millanër, bojanër, fatmirë, farukër, qerimër e arianër, plot veselë, egzonitër e isnitër, alinj e granitër, milazimër dhe qazimër, naserë e kurtanër, aleksandër e burbuqe, resulë, rusulë e makreshër, agimër e brahimër, edhe besartër, bujarë e bashkimër.

Këta janë këtu për të mirën tonë. Këta nuk kanë faj. Këta vetëm duan të punojnë. Këta kanë luftuar për këtë vend. Këta e kanë çliruar, këta e kanë përparuar, këta janë zëvendësministra të pazëvendësueshëm. Një qeveri-neveri me kaq shumë zëvendësministra një ditë mund ta zëvendësojë edhe popullin – po qe se çdonjëri pjesëtar i popullit refuzon të bëhet zëvendësministër.

Qeveria ka plane. Të eksportojë hekur të ndryshkur, të importojë zëvendësministra. Të fillojmë nga Shqipëria. Ai shtatgjati nga Tirana që po shfaqet në opinion i veshur me dimi na i mori disa njerëz të mirë dhe i bëri zëvendësministra. Është mirë t’ia kthejmë me të njëjtën tarifë. Pse të mos bëhen zëvendësministra në Prishtinë Koço Devole, Filip Çakuli e Agron Llakaj. Bile niveli i humorit do të ishte serioz. Këta që deri më tani janë bërë zëvendësministra, me ndonjë përjashtim, më së shumti mund të jenë objekt humori, pa marrë parasysh sa zgjat mandati i kësaj qeverie – 100 ditë apo 100 vjet. Nëse eventualisht do të kemi problem me importimin e zëvendësministrave nga shteti mami, atëherë të eksplorohen tregjet e reja. Të importojmë hundëzakë e tezakë, anadollakë e teksasianë, katalonas e kaukazianë. S’quhet qeveri kjo nëse nuk i bën 100 zëvendësministra. Secila ditë është e humbur nëse nuk kemi një zëvendësministër të ri – çdo ditë. Le të futemi pak edhe në pyllin e Facebookut në kërkim të zëvendësministrave. Kosova ka nevojë për ju. Lajmërohuni në sportelet e qeverisë, partisë dhe poshtërsisë. Ai anglezi që ka thënë «është mallkim i kohës kur të tërbuarit udhëheqin të verbrit» quhet William Shakespeare. Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së Kosovës do ta pyesin: cilën ministri e përfaqëson ti? Dhe Shakespeari do të përgjigjet: ministrinë e tragjikomedisë.