Agani kërkon respektim të ligjit për «Luginën e Diellit»

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur sot kryetarin e Zveçanit, Vuçina Jankoviq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, me të cilët bisedoi për projektin e paralajmëruar për ndërtimin e lagjes për serbët e kthyer në Zveçan.

Ministri Agani kërkoi nga kryetari Jankoviq që të ndërpriten të gjitha aktivitetet ndërtimore përkitazi me këtë projekt, deri në përmbushjen e plotë të dispozitave ligjore në fuqi, transmeton Koha.net.

Njëkohësisht, ministri Agani ofroi bashkëpunim të plotë të MMPH-së gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor për Komunën e Zveçanit.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Zveçanit, tha se janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, në mënyrë që ky projekt të jetë legal dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi duke e konsideruar si të rëndësishëm realizimin e tij.

Se ky projekt duhet të realizohen në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të nxjerra nga institucionet e Kosovës, u pajtua edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, i cili i dha mbështetje ministrit Agani në kërkesat e tij karshi Komunës së Zveçanit.