Afro gjysma e buxhetit të Prishtinës për investime kapitale




Prishtinë, 10 shtator – 40 % e buxhetit të planifikuar për vitin 2016 në Komunën e Prishtinës, ose më saktësisht 26 milionë e 772 mijë euro, nga 65 milionë të planifikuara, pritet të shkojnë në investime kapitale.

 

Nga këta 26 milionë, pjesa më e madhe do të ndahet për drejtorinë e re që do të krijohet. Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave do t’i ndahen 11 milionë e 270 mijë euro, ndërkaq Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, do t’i ndahen 8 milionë e 987 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.

Nga 25 projektet e planifikuara si investime kapitale 9 nga to i përkasin infrastrukturës lokale.

Sipas propozim-buxhetit për vitin 2016, me 26 milionë eurot e ndara do të bëhet ndërtimi i rrugëve në pjesët urbane dhe rurale me infrastrukturë përcjellëse, ndërtimi i rrugës paralele me rrugën B në lagjen “Mati 1” si dhe rruga mbi lumin Mat. Gjithashtu në kuadër të infrastrukturës lokale parashihet ndërtimi i kolektorit të lumit Prishtina dhe rruga mbi kolektor, rrethrrotullimi Lakrishte-Arbëri, trajtimi i ujërave të zeza si dhe hartimi i projekteve për infrastrukturë lokale. E me buxhetin për investime kapitale parashihet edhe ndërtimi i 4 shkollave të reja: në lagjet “Kalabria”, “Sofalia”, “Mati I” si dhe për ndërtimin e Shkollës së Muzikës.

Në kuadër të investimeve kapitale janë ndarë 760 mijë euro. Me këto mjete parashihet nderimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vetërnik, përmirësimi i QMF-së në Tophane, ndërtimi i objektit për qëndrim ditor për persona me aftësi të veçanta si dhe renovim dhe përmirësim i infrastrukturës së objekteve shëndetësore dhe sociale.

Nga 2 milionë e gjysmë i janë ndarë projektit të ndërtimit të Fabrikës së Ujit në Shkabaj, si dhe blerjes së autobusëve të rinj, ndërkaq 1 milion e 750 mijë janë planifikuar për vazhdimin e projektit të koogjenerimit dhe zgjerimit të rrjetit të “Termokosit”.