Afërsia e të dashurit

Foto: Shutterstock.com



Gjithë të kujtoj, kur dielli mbi dete
Zë ndrin për mua;
Gjithë të kujtoj, kur hënëza nga retë
Shkëlqen mbi krua.

Gjithë të kujtoj, kur pluhuri mbi shtigje
Zë ngrihet n’erë;
Në natë e terr, kur ecën nëpër brigje
Shtegtari i mjerë.

Gjithë të dëgjoj, kur ngrihet valë e thellë
Duke buçitur,
Kur zë përgjoj mes pyjeve pa diell
Dhe të nemitur.

Gjithë jam me ty: dhe ngado qofsh larguar,
Të shoh matanë!
Po ngryset: ndrisin yjet e pambaruar,
Oh, t’ishe pranë!